Gjirokastër/ Zbulohet laboratori për falsifikimin e dokumenteve, arrestohen 8 persona

schedule17:49 - 13 Shtator, 2024

schedule 17:49 - 13 Shtator, 2024

Tetë persona janë vënë në pranga në Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “No chance”.

Këta shtetas dyshohet se gjatë viteve 2023 dhe 2024, kanë kryer veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve, kundrejt fitimit.

Nga hetimet, është zbuluar laborator që shërbente për falsifikimin e dokumenteve. Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar laboratori, një shumë e konsiderueshme parash, automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e veprimtarisë kriminale.

Operacioni u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, si rezultat i një hetimi 9-mujor.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë edhe 2 shtetas iranianë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!