Gjiri i Oman, SHBA akuzon iranianët

schedule11:40 - 14 Qershor, 2019

schedule 11:40 - 14 Qershor, 2019

Uashingtoni ka akuzuar Teheranin për sulmin ndaj dy anijeve çisternë të naftës në Gjirin e Omanit. Burime të administratës amerikane konfirmuan se të gjitha opsionet si kundërpërgjigje, përfshirë dhe atë ushtarake.

Përshkallëzohet tensioni mes Uashingtonit dhe Iranit pasi Pentagoni ka publikuar një video ku duken Pasdaranët iranianë që i afrohen anijes çisternë japoneze të naftës “Kokuka Courageous” në përpjekje për të hequr atë që përshkruhet si një minë magnetike e pashpërthyer. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit Majk Pompeo, Rojet e Revolucionit kanë ndërhyrë për të fshehur provat e përfshirjes së tyre.

Të enjten dy anije çisternë, një norvegjeze dhe një japoneze u sulmuan në Gjirin e Oman dhe më pas u ndihmuan nga anije ushtarake amerikane dhe iraniane. Uashingtoni akuzoi Teheranin për sulmin; sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës sulmi u krye për të sabotuar misionin e kryeministrit japonez Shinzo Abe në Iran. Sekretari Amerikan i Shtetit Majk Pompeo foli për një reagim ekonomik. Një deklaratë që u përgënjeshtrua pjesërisht nga burime të administratës amerikane të cilat theksuan se të gjitha opsionet ishin në diskutim dhe ai ushtarak. Irani refuzoi kategorikisht akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet misionit të tij në Kombet e Bashkuara.

Ekuipazhi i anijes japoneze çistern u shpreh se ishin parë objekte fluturuese para shpërthimit, duke përgënjeshtruar në këtë mënyrë se sulmi ishte bërë me mina si pretendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!