Paraqitja e fundit bëri që të gjithë të kujtoheshin se për cilin lojtar bëhet fjalë. Berat Gjimshiti tregoi ndaj Romës se nuk ka humbur thuajse asgjë nga klasi i tij si futbollist, edhe pse vitet kalojnë dhe ai është tani 32 vjeç.
Mbrojtësi i qendrës që dy herë u diskutua për t’u larguar nga Atalanta, mund të mburret jo vetëm me këtë paraqitje, në fitoren 1-0 në Serinë A në Bergamo, por edhe për më shumë se kaq.
Nëse shikon faqen e specializuar të statistikave dhe vlerësimeve, “sofaskor”, lexon se nota mesatare e kapitenit të kombëtares shqiptare këtë sezon është 7.09.
Këtu përfshihen, Seria A, Champions dhe Kupa e Italisë, ndërsa për ekipin përfaqësues është edhe më lart. Kjo është diçka më poshtë sesa sezonin e kaluar, por gjithsesi, mbi mesataren e Atalantës që arrin në 6.85.
Vetëm lojtarë si portieri Karnezeki, mbrojtësi De Ron apo mesfushori De Keteler, mund të mburren se kanë vlerësim më të lartë sesa djali nga Presheva. Natyrisht, ka pasur edhe skaje në këto nota, nga 6.1 apo 6.2 që kanë qenë më të ulëtat, deri në 7.6, 7.7, 7.8 apo 8.9 siç ndodhi në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Romës. Gjimshiti ka shënuar një gol këtë edicion, dhe pikërisht në sfidën e Kupës së Italisë fituar 3-1 kundër Gjenovës./abcnews.al


