Jubilari nuk paska qenë shumë me fat. Edhe pse shërbeu një asist në ndeshjen numër 600 në karrierën e tij, sërish Berat Gjimshiti e pati një lajm të keq.
Kapiteni I kombëtares shqiptare pësoi një dëmtim dhe u detyrua të dilte nga fusha e lojës në minutën e 63-të, ndërsa luhej sfida e Serisë A mes Empolit dhe Atalantës.
Për fat, duket se problemi në kavilje nuk është serioz, të paktën siç shkruajnë mediat nga Bergamo, dhe besohet se mbrojtësi do të kthehet shpejt, maksimumi mund të humbasë ndonjë ndeshje.
Ky është një lehtësim për tifozët e Atalantës dhe të kombëtares shqiptare.
Skuadra bergamaske është plotësisht në garë për titullin kampion në Itali, duke pasur 54 pikë në renditje, vetëm tre më pak sesa Interi që kryeson.
Po ashtu, Shqipëria nis në 21 mars eliminatoret e Kupës së Botës me ndeshjen në Londër ndaj Anglisë. Pavarësisht optimizmit nuk mund të fshihet fakti se Gjimshiti ka nisur të dëmtohet gjithnjë e më shumë.
Statistikat tregojnë se ky është lëndimi I pestë në 2024-2025, duke humbur gjithsej 8 ndeshje për Atalantën e kombëtaren, e duke munguar 45 ditë. Pavarësisht nga kjo, kapiteni kuqezi po luan një nga sezonet më të mirë të karrierës me dy gola e dy asistë për italianët, duke qenë në nivelin e 2021-2022 kur pati 3 gola dhe një asist./abcnews.al