Gjimnastja: FBI dhe organizata e bënë “një sy qorr” para abuzimeve

schedule21:09 - 15 Shtator, 2021

schedule 21:09 - 15 Shtator, 2021

Katër gjimnaste amerikane, përfshirë Simone Biles, që konsiderohet si gjimnastja më e mirë e të gjitha kohërave, dëshmuan para Kongresit amerikan të mërkurën lidhur me abuzimin seksual nga mjeku i ekipit kombëtar të gjimnastikës, Larry Nassar, duke bërë akuza të ashpra ndaj organizatës së gjimnastikës dhe FBI-së.

Në dëshminë e saj emocionale, Biles tha se “mjaft është mjaft” dhe fajësoi jo vetëm organizatën e gjimnastikës, por edhe FBI-në se kishin “bërë një sy qorr” ndaj krimeve pasi qindra atlete të reja u abuzuan.

“Unë fajësoj Larry Nassarin dhe gjithashtu fajësoj një sistem të tërë që mundësoi abuzimet prej tij,” tha Biles përmes lotëve në dëshminë e saj para Komisionit Juridik të Senatit.

Ajo tha se organizata kombëtare amerikane e gjimnastikës dhe Komiteti Olimpik dhe Paraolimpik i Shteteve të Bashkuara “e dinin që unë u abuzova nga mjeku i ekipit të tyre zyrtar shumë kohë para se unë ta merrja vesh që ata e dinin.”

McKayla Maroney, një gjimnaste tjetër fituese e medaljes së artë, u tha senatorëve se një natë kur ishte 15 vjeç, ajo u zgjua kur mjeku ishte shtrirë mbi trupin e saj të zhveshur – një nga shumë rastet kur ajo ishte abuzuar. Ajo tha se mendoi se do të vdiste atë mbrëmje.

Maroney tha se FBI-ja “nuk i dha rëndësi dhe e shpërfilli” pasi ajo raportoi Nassarin dhe tha se agjencia vonoi hetimin pasi vajza të tjera u abuzuan.

“Nëse ata nuk po më mbronin mua, unë dua të di se kë po përpiqen të mbrojnë,” tha ajo.

Maroney tha se ndjehet e tradhtuar nga agjentët e FBI-së, pasi ata nuk arritën të hetojnë ish-mjekun e gjimnastikës Larry Nassar, pavarësisht se ajo u tha atyre se ai e kishte abuzuar seksualisht.

Ajo kujtoi sesi në vitin 2015 ajo kaloi tre orë në telefon duke i treguar FBI-së detajet e historisë së saj që as nëna e saj nuk i kishte dëgjuar, duke përfshirë rrëfimet e abuzimit seksual që pësoi gjatë lojërave Olimpike në Londër nga Nassar, të cilin ajo e përshkroi “më shumë pedofil” se sa mjek.

“Unë mendoj se për një kohë aq të gjatë, vetëm sepse dikush tjetër nuk na dha të drejtë plotësisht, ne po vinim në dyshim atë që na ndodhi. Dhe unë mendoj se kjo e bën procesin e rimëkëmbjes të zgjasë më shumë”, shtoi ajo.

Seanca është pjesë e një përpjekjeje të Kongresit për t’i kërkuar llogari FBI-së pas gabimeve të shumta në hetimin e çështjes, përfshirë vonesat që i lejuan Nassarit të abuzonte me gjimnaste të tjera të reja.

Një hetim i brendshëm Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, Michael Horowitz, gjetjet e e të cilit u bënë publike në korrik, arrinte në përfudnimin se FBI-ja bëri gabime thelbësore në hetim dhe nuk e trajtoi rastin me “seriozitetin maksimal” pasi organizata “USA Gymnastics” raportoi për herë të parë akuzat në zyrën e FBI -së në Indianapolis në vitin 2015.

FBI-ja ka pranuar se sjellja e saj ishte e pafalshme pasi të paktën 40 vajza dhe gra thanë se ishin ngacmuar ndërsa FBI-ja ishte në dijeni të problemit.

Edhe Aly Raisman, një tjetër fituese e medaljes së artë në Olimpike dhe gjimnastja Maggie Nicols dëshmuan në seancë. Raisman tha se “më vjen keq” që ato janë ende në kërkim të përgjigjeve gjashtë vjet pasi u raportuan akuzat e para kundër Nassarit.

“Ne thjesht nuk mund të rregullojmë një problem që nuk e kuptojmë dhe nuk mund ta kuptojmë problemin nëse dhe derisa të kemi të gjitha faktet,” tha Raisman. “Mbaj mend që isha ulur me agjentin e FBI -së dhe ai përpiqej të më bindte se nuk ishte aq keq,” tha ajo. “M’u deshën vite terapi për të kuptuar se abuzimi im ishte diçka e keqe.”

Edhe zoti Horowitz dëshmoi të mërkurën së bashku me Drejtorin e FBI-së Chris Wray, i cili pritet të përballet me pyetje të mprehta nga anëtarët e dy partive në Kongres, se pse agjentët që dështuan në hetimin e tyre nuk u ndoqën kurrë penalisht.

“FBI-ja jo vetëm që dështoi në kryerjen e punës së saj, në mënyrë sistematike dhe të përsëritur, por edhe u fsheh e vërteta kur agjentët e FBI-së bënë deklarata të rreme,” tha senatori Richard Blumenthal, duke shtuar se Departamenti i Drejtësisë ka refuzuar të ndjekë penalisht agjentët.

Zoti Wray i tha komisionit se veprimet e agjentëve që penguan hetimin janë të pafalshme dhe “krejtësisht të papranueshme.” “Më vjen thellësisht keq,” tha zoti Wray, duke shtuar se gabimet në hetim nuk duhej të kishin ndodhur.

Hetimi i FBI-së për Nassarin filloi në korrik 2015, pasi Presidenti i Organizatës së Gjimnastikës Amerikane Stephen Penny raportoi akuzat në zyrën e FBI -së në Indianapolis.

Zyra e drejtuar atëherë nga agjenti special W. Jay Abbott, nuk hapi zyrtarisht hetim. FBI-ja intervistoi vetëm një dëshmitare muaj më vonë, në shtator 2015, dhe nuk arriti të dokumentojë zyrtarisht atë intervistë në një raport zyrtar të njohur si “302” deri në shkurt 2017 – shumë kohë pasi FBI-ja kishte arrestuar Nassarin me akuzat e posedimit të imazheve seksuale të fëmijëve në dhjetor 2016.

Kur intervista u dokumentua në vitin 2017 nga një agjent special mbikëqyrës i paidentifikuar, raporti u mbush me “informacion materialisht të rremë dhe disa informacione u lanë jashtë”, thuhet në raport.

Abbott, i cili dha dorëheqjen nga FBI në 2018, gjithashtu shkeli rregullin e konfliktit të interesit të FBI-së duke diskutuar një punë të mundshme me Komitetin Olimpik të SHBA-së ndërsa ishte i përfshirë në hetimin e Nassarit.

Ndërsa FBI vonoi hetimin e saj, Nassari vazhdoi të abuzonte me më shumë viktima. Në një moment në seancën e së mërkurës, Blumenthal pyeti të katër gjimnastet nëse kishin dijeni për viktima të abuzuara pasi FBI -ja ishte informuar në korrik 2015.

“Po”, thanë të katërta ato.

As Abbott dhe as agjenti tjetër i paidentifikuar që dëmtoi hetimin ndaj Nassarit, nuk u ndoqën penalisht për veprimet e tyre.

“Ne na është bërë padrejtësi dhe meritojmë përgjigje,” tha Biles të mërkurën.

Raisman, ndërkohë, shprehu zhgënjimet se nuk është bërë më shumë për të hetuar Orgnizatën e Gjimanstikës Amerikane ose Komitetin Olimpik dhe Paraolimik amerikan për fshehjen e abuzimeve të Nasarrit për vite me radhë.

Zëdhënësit e të dy organizatave nuk kanë komentuar ende.

Nassar është shpallur fajtor në tre raste të veçanta, me njërin nga dënimet me burg që shkon deri në 175 vjet. Prokurorët kanë vlerësuar se ai ka sulmuar seksualisht qindra gra dhe vajza./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!