Gjilani dhe Suhareka ndajnë pikët, Dukagjini triumfon me 9 lojtar ndaj Feronikelit 74

schedule21:06 - 9 Nëntor, 2024

schedule 21:06 - 9 Nëntor, 2024

Ishte padyshim një ditë e parë plot emocione dhe dramë në dy sfidat e javës së 13-të të kampionatit kosovar të futbollit, AlbiMall Superliga.

Gjilani dhe Suhareka ndanë pikët pasi barazuan 1-1, teksa ishte fillimisht Nikola Stijepovic, i cili  kaloi Suharekën në epërsi, në minutën e 31’-të, por Gjilani reagoi shpejt, duke barazuar vetëm gjashtë minuta më vonë përmes një gjuajtje të bukur nga Senad Jarovic, për të mbyllur përfundimisht “diskutimet” mbi këtë sfidës.

Kështu, pas 13 ndeshjeve të luajtura, Gjilani ka grumbulluar 14 pikë, duke u renditur në vendin e 8-të, ndërsa Suhareka, renditet e 5-ta me 18 pikë.

Në krahun tjetër, Dukagjini fitoi në mënyrë dramatike ndaj Feronikelit 74, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultatin 2-1.

Ndeshja u vendos në minutat e fundit, duke ofruar një nga përballjet më të bujshme të javëve të fundit, teksa pas golit të shënuar nga Hekuran Berisha në minutën e 49-të, situata për vendasit u përkeqësua, pasi Berisha në minutën e 74’-t dhe më pas Faton Neziri në të 81’-tën u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Me epërsi të dukshme numerike në fushë, Feronikeli 74 barazoi rezultatin në minutën e 88-të me sulmuesin grek Nikolaos Ioannidis dhe kishte synimin për të marrë tri pikët nga ky duel, megjithatë, loja e Dukagjinit nuk përfundoi aty, pasi në minutën e 95’-të braziliani Vitor Hugo shënoi golin e fitores.

Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ngjitet në vendin e 6-të me 17 pikë, duke mbajtur një seri pozitive prej pesë ndeshjeve pa disfatë, ku përfshihen tri fitore dhe dy barazime, ndërsa Feronikeli 74 mbetet në fund të tabelës, me vetëm tre pikë të mbledhura nga tri barazime. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!