Gjiknuri në Durrës: Këtë vit nis thellimi dhe zgjerimi i Portit

schedule10:36 - 1 Shkurt, 2018

schedule 10:36 - 1 Shkurt, 2018

Së shpejti do të nisë thellimi dhe zgjerimi i Portit të Durrësit. Ky është njëri prej projekteve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka për këtë port, tjetri ka të bëjë me mundësinë për ta kthyer në një destinacion kroçerash.

 

Është i vetdijshëm ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri për kritikat ndaj terminaleve në Portin e Durrësit. Gjatë vizitës që zhvilloi në këtë port ai tha se ndryshime të rëndësishme priten të ndodhin.

“Jemi duke bërë një inspektim në Portin e Durrësit, duke parë se si funksionojnë kryesisht terminalet të cilat publiku e di që janë dhënë me koncesion, në disa raste të kritikueshme e nuk kemi pse ta fshehim. Jemi këtu pasi në Portin e Durrësit do të kemi dy zhvillime shumë interesante. Së pari, këtë vit do të fillojmë projektin e shumë pritur të thellimit të thellimit dhe zgjerimit të Portit që do të thotë se do ketë më shumë hapësirë për aktivitete. Nga ana tjetër kemi filluar diskutimet edhe për mundësinë që Porti i Durrësit të kthehet në një destinacion kroçerash mesdhetare. Do të thotë që për periudhën e sezonit, këtu të ketë nga një kroçerë çdo ditë çka do jetë një nxitje ekonomike për portin dhe gjithë qytetin e Durrësit”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Gjetja e financimeve që mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të Portit të Durrësit është prioriteti i radhës.

“Autoriteti portual ka aplikuar edhe për financime në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ku është parë me shumë prioritet financimi. Jam i bindur se kombinimi i këtyre financimeve me interesin e shtuar kroçerave do të ketë një rritje ekonomike më të madhe për portin dhe gjithë qytetin. Porti përgjithësisht ka patur rritje ekonomike, pra janë shtuar volumet. Investimet në rrjetin rrugor apo edhe investimet që do të bëjmë në hekurudhë patjetër do ti rrisin interesin Portit të Durrësit dhe do të rritet konektiviteti ku porti nuk ka përse ti shërbejë vetëm Shqipërisë por edhe vendeve të tjera të rajonit”./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!