Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai i kërkoi që të fokusohen në dy sektorë që kanë perspektivë për t’u zhvilluar në të ardhmen të cilët janë hekurudha dhe energjia.
Profilet e inxhinierive janë rruga më e mirë për të siguruar të ardhmen në tregun e punës. Këtë këshillë u dha studentëve të universitetit politeknik të Tiranës ministri i infrastrukturës dhe energjisë Damian Gjiknuri.
“Hekurudha është degraduar me vite. Ne po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm Tiranë-Durrrës, rreth 100 milion euro me mbështetjen e BERZH-it dhe të Komisionit Europian. Do bëjmë një hekurudhë moderne Tiranë-Rinas, Tiranë-Durrës, pra do të ketë një lëvizshmëri të shpejtë, një tren të shpejt, komod si në Europë. Kjo do të hapë edhe një fushë të re sepse inxhinieria hekurudhore këtu ka dalë jashtë loje. Unë e kam vënë re që mungojnë profesionistë në këtë fushë”.
Bërja e kësaj vepre të re por edhe ringjallja e hekurudhës me projekte të tjera që qeveria ka nisur të aplikojë jemi për të lidhur Shqipërinë me Greqinë apo me Maqedoninë do të krijojnë një fushë tjetër shumë të mire për inxhinierinë civile për hekurudhat i siguroi studentët Ministri Gjiknuri.
Në vlerësimin e tij, tregu i punës ka kërkesë për këto profile dhe kryesisht pas viteve 90’ vihet re një mungesë e burimeve njerëzore.
“Nevoja është shumë e madhe. Ka nevoja shumë për pjesën inxhinierike, ka shumë projekte, inxhinieri ndërtimi, konstruktori, apo qoftë gjeologu në fusha jo vetëm tek miniera. Gjeologjia është baza. Sa më mirë të njohësh gjeologjinë aq më i sigurtë është edhe projekti. Të gjitha dështimet që kemi ne në projekte publike po ta vini re, vijnë kryesisht për shkak të dështimeve gjeologjike. Pse?! Sepse nuk janë bërë studimet siç duhet, i kanë rënë shkurt, i kanë bërë nga kompiuteri ose janë mjaftuar me disa të dhëna, pa marrë kampione, pa bërë analizat e shtresës së nëntokës dhe të gjitha këto kanë sjellë që në shumë nga këto projekte të famshme të ‘kërcejë’ çmimi”.
Si shembuj ministri i energjisë dhe infrastrukturës solli rrugën Durrës-Kukës dhe rrugën e Elbasanit kostot e të cilave janë shumë të larta pikërisht nga mungesa e bërjes së punës siç duhet nga pikëpamja e projektimit, u shpreh ministri Damian Gjiknuri. /abcnews.al