Gjiknuri i përgjigjet Bylykbashit dhe Vasilit: Kërkime të dështuara, doni të lani duart si Ponc Pilati

schedule18:47 - 4 Tetor, 2020

schedule 18:47 - 4 Tetor, 2020

Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i është përgjigjur Opozitës së Bashkuar, në lidhje me modelin shqiptar të koalicionit, që sipas Bylykbashit është Italia që e ka ende në fuqi.

Në një reagim në Facebook, Gjiknuri thotë se pas 3 muajsh kërkimesh të dështuara, PD dhe LSI tentojnë të hedhin hi syve dhe të pengojnë reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Gjiknuri sqaron se modeli italian nuk ka lidhje me Shqipërinë pasi përbëhet nga dy dhoma miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proprocional me lista të mbyllura 2/3. Ndërkohë që sipas tij, Shqipëria tashmë do të ketë proporcional rajonal me lista të hapura.

LEXO edhe: Ngërçi në Këshillin Politik, Bylykbashi: Nenet që miratohen nesër, bien ndesh me rekomandimet e ODIHR

“Tre muaj rresht, në çdo komunikim zyrtar, në çdo deklarim publik, në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin.

Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut.

Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian. A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura.

Edhe diçka e fundit, për të mos i besdisur qytetarët këtë mbrëmje të diele me debate politike.

Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona”, shkruan Gjiknuri.

N.D.abcnews.al