Gjiknuri e Klosi në Jalë: Të zgjatet sezoni turistik

schedule14:01 - 29 Korrik, 2018

schedule 14:01 - 29 Korrik, 2018

Gjatë vizitës së zhvilluar në Pikën e Aventurës të hapur në plazhin e Jalës, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se synimi i sipërmarrjeve te ekzekutivit është zgjatja e sezonit turistik në vend. Ndërsa për ministrin Klosi sfida është që tashmë turizmi të shikohet si ekonomi. 

Jugu i vendit tonë kësaj verë nuk ofron vetëm bukuritë batyrore, por edhe emocionet e aventurave të organizuara. Pikërisht për këtë në plazhin e Jalës është hapur Pika e Aventurës (Adventure Point).

Pika e ngritur me mbështetjen e pjesshme të GIZ Shqipëri, synon t’u ofrojë vizitorëve vendas e të huaj mundësinë e përfshirjes në aktivitete sportive si ngjitje në mal, Jeep Safari, kajak, zhytje, stand-up paddle, mountain biking etj, edhe përtej sezonit të verës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njëkohësisht deputet i zonës tha se synohet zgjatja e periudhës së sezonit turistik në vend.

“Që turizmi në jugun e Shqipërisë të jetë një paketë e diversifikuar, pra jo vetëm plazh por të ketë sporte të kombinuara dhe me bukuri të tjera të natyrës. Qëllimi është që të zgjatet sezoni turistik, të vijnë njerëz që i pëlqejnë këto sporte, të vijnë të huaj të cilët nuk duan vetëm bregdetin shqiptar, por duan të kenë një paketë më të diversifikuar. Unë kam kënaqësi që e mbështes këtë iniciativë dhe jami bindur që kjo do të shtrihet në shumë pika të tjera të zonës”, tha ai.

Në vlerësimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, sfida është që tanimë turizmi të shihet si një ekonomi.

“Sot akoma jemi në fazën që turizmi trajtohet si një shërbim. Ne padyshim nëqoftëse nuk e kthejmë turizmin në një ekonomi, ekonomi e cila prodhon të mira, prodhon para, prodhon punësim nuk do jemi aty ku duhet. Siguria në plazhe dhe pastërtia në plazhe këtë vit është shumë herë më mirë se një vit më parë, por ama kemi nevojë që të vazhdojmë dhe të edukojmë qyetarët shqiptarë për aksionet tona të mëdha në kuadër të mbajtjes pastër të plazheve”, tha Klosi.

Ministrat ndoqën disa aktivitete të tjera të zbatuara nga GIZ Shqipëri, financuar nga qeveria gjermane në kuadër të projektit “Krijimi i mundësive duke mbrojtur trashëgiminë dhe natyrën”, mbështetur tek popullsitë e Vlorës, Himarës e Konispolit për një zhvillim të integruar të bregdetit të jugut.

Ministri Gjiknuri inspektoi edhe punimet që po kryhen për asfaltimin e rrugës së fshatit Pilur duke vlerësuar se zhvillimi i infrastrukturës tanimë do zhvendoset edhe drejt fshatrave.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!