Gjiknuri: Dixhitalizim fondit të të dhënave teknike të hidrokarbureve

schedule16:05 - 9 Dhjetor, 2018

schedule 16:05 - 9 Dhjetor, 2018

Fondi 100 vjeçar i të dhënave të hidrokarbureve në Fier do të dixhitalizohet. Është kompania SHELL që do të realizojë fazën e parë të këtij procesi. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha se ky investim do të shërbejë si marketim për investitorët e huaj.

Ky është Arkivi teknik për hidrokarburet në Fier. Mban brenda tij materiale që e kanë fillesën prej vitit 1927. Nuk do të jenë më të arkivuara njëra mbi tjetrën pasi kompania SHELL ka vendosur të financojë në fazën e parë të dixhitalizimit 500 mijë paund sipas marrëveshjes që ka nënshkrayr me shtetin shqiptar.

Ardian Bylyku, drejtori i AKBN-së: “Ky projekt synon kopjimin dhe dixhitalizimin e të dhënave dhe përbën fazën e parë të dixhitalizimit. Kjo fazë do të pasohet më tej dhe nga ndërhyrjet e tjera që kërkon të ndërmarrë Ministria dhe AKBN-ja deri tek projekti për “multi client data”, duke i dhënë një perspektivë shumë të rëndësishme kërkimit dhe zbulimit të hidrokarbureve në vendin tonë”.

Jo vetëm kaq, por sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mbi të gjitha kjo vlen që që të marketohen më mirë pasuritë e vendit për investitorët e huaj.

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “Shumë shpejt do të hapim dhe garat për blloqet “off shore”, pra në detin Adriatik dhe Jon. Pasja e këtyre të dhënave elektronik dhe formatimi i tyre në mënyrën e duhur do të bëjë që ne të kemi mundësi të negociojmë kontrata më të mira, por edhe investitorët të njihen me të dhënat historike të të gjithë pasurive, në këtë rast pasurive hidrokarbure shqiptare”.

Përfaqësuesi i SHELL tha se puna është në vijim dhe se kanë zgjedhur tashmë kontraktorin që do të mund të kryejë punën për dixhitalizimin në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!