Nuk ka asnjë dyshim as ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, që dokumentacioni për të marrë 30 milionë euro nga taksat e shqiptarëve është i falsifikuar. Përgjigjen për për kompnanjinë “DH Albania” ia kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania “DH Albania” për tender nuk është e saktë, është e falsifikuar”, tha ai.
Hetimet kanë nisur nga prokuroritë e të dy shteteve asaj në Delaware dhe prokurorisë shqiptare. Ministri Gjiknuri është i gatshmëm të hetohet e gjithë administrata duke filluar nga ai vetë.
“Nuk kam pasur lidhje dhe nuk kam asnjë dijeni në lidhje me këtë aktivitet kriminal. As me këtë kompani dhe jam i hapur deri në fund që prokuroria të hetojë të gjitha lidhjet e kësaj shoqërie dhe lidhjen që ka administrata në këtë proces”, u shpreh ai.
Tashmë të dy tenderat i janë hequr kompanisë që ka falsifikuar dokumentet. I pari 18 milionë euro për lotin e parë të Unazës së Madhe dhe tenderi i dytë për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OST gjatë këtij viti. Ky është dallimi që kërkon të nënvizojë ministri Gjiknuri me qeverinë paraardhëse.
“E keqja mund të ndodhë. Falsifikime ka pasur dhe më parë. Ndryshimi është si reagon dhe a i është shkaktuar dëm shtetit. Shtetit nuk i është shkaktuar dëm financiar mbi të gjitha”, u shpreh ai.
Të gjitha detajet e tjera që lidhen me procedurën e prokurimit publik, ministri Gjiknuri ia delegon autoriteteve përkatëse.
“Roli i ministrit në këtë rast është roli i mbikëqyrjes politike të procesit sepse janë të gjitha institucionet e varësisë ato që kanë përgjegjësinë dhe të drejtën për të organizuar prokurorime publike, apo për të lidhur të kontrata për të zbatuar punime. Jo ministria që ka mbikëqyrje politike të këtij procesi”, tregoi Gjiknuri.
Megjithatë një informacion i është dërguar në tryezë ku i thonë se tenderi është zhvilluar konform ligjit.
“Dokumentacioni nga Amerika ka ardhur me vulë Apostile, me deklarime, me përkthime, me deklarime të noterint amerikan dhe me verifikime të noterit shqiptar. Nga pikëpamja e dokumentacionit aty është bërë një falsifikim. Përmbajtja nuk ekziston, forma ka qenë korrekte”, tha ai.
Ligji e lejon, por nuk sqaroi ministri Damian Gjiknuri se sa e rastësishme është që kompania “DH Albania” të përzgjidhet fituese në një tender pa garë pasi në të dy rastet kompanitë e tjera nuk kishin paraqitur asnjë ofertë.
“Nuk është hera e parë. Legjislacioni i prokurorimit publik, i bazuar në direktivat europiane thotë dhe kjo është për ta verifikuar është i mirë apo keq. Mjafton që një ofertë e vetme të përputhjeve dhe brenda fondit limit është e pranuar. Ky është ligji, nuk mund ta refuzosh se ka vetëm një ofertë”, u shpreh ai.
Jo vetëm kaq, por autoritetet e prokurimit publik i dhanë rreth 30 milionë euro një kompanie që ishte regjistruar një muaj para pjesëmarrjes në këto tendera dhe nuk patën as dyshimin më të vogël që t’i drejtoheshin autoriteteve kompetente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kush është 26-vjeçari që me një kapital 1 mijë lekë po i merr taksapaguesëve shqiptarë 30 milionë euro.
Por ka reflektuar vetë ministri Damian Gjiknuri i cili pranoi se këto histori nuk kanë ndoshur për herë të parë, prandaj ai sot e sheh të arsyeshme që ti drejtohet qeverisë për të ndryshuar pikat e ligjit që kontrollojnë kompanitë që marrin pjesë në garë./abcnews.al