Gjici: Titulli në tavolinë nuk ka lezet, FSHF e ka bërë detyrën e saj

schedule18:37 - 4 Maj, 2020

schedule 18:37 - 4 Maj, 2020

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, foli në një lidhje Skype me emisionin Studio Sprint, në ABC News. Numri një i klubit verilindor, në bisedën e tij me moderatorin Gerti Çarçani, preku shumë tema rreth skuadrës së tij, si dhe tregoi si po ecin punimet në stadiumin e ri.

RIFILLIMI – “Si të gjithë të tjerët, nuk e dimë se kur do të fillojmë, si do të fillojmë. Dimë vetëm që Federata ka dërguar në Qeveri një kërkesë për ta vazhduar. Gjithsesi, protokolli nga Qeveria ende nuk ka ardhur. Patjetër që ne duam të luajmë në fushë. Më mirë mos të zhvillohen ndeshjet fare, se sa ekipet të luajnë pa stërvitje. Çdo ekip do një fazë prej 2 javësh që të bëhet gati për rifillimin e kampionatit. Loja është lojë, për të kënaqur dhe të tjerët, por në këtë kohë, parësor është shëndeti”.

VERDIKTET – “Unë nuk e di këtë, nëse hapet tani sezoni, jemi në kohë duke e mbyllur në fushë kampionatin, që do të ishte idealja. Edhe titulli kampion, nuk ka lezet ta marrësh në tavolinë. Këtu nuk është mbyllur kampionati sa i takon numrit të ndeshjes. Do të na pëlqente verdikti i fushës, që do të ishte ideali për çdo ekip. Duke marrë parasysh në çfarë situate jemi, duke parë kushtet, qeveria ka bërë maksimumin e mundshëm dhe ka bërë shumë mirë që të fitojë këtë luftë me Koronavirusin. E rëndësishme për ne është që të mbyllet kjo luftë me shumë pak dhimbje, edhe pse 31 persona kanë humbur jetën. E thashë dhe po e theksoj, mbi të gjitha është jeta e njeriut”.


QEVERI-FSHF – “Nuk besoj se ka kontradiktë mes Qeverisë dhe Federatës, përkundrazi, shumë projekte janë bërë së bashku sa i përket investimeve. Qeveria duhet të ndihmonte në këtë situatë pandemie ndoshta dhe klubet, ashtu siç bëri Kosova. Duke ditur që klubet shqiptare janë me financa shumë të dobëta. Qeveria ka preferuar të ndihmojë fillimisht shtresat që janë më në nevojë. Federata e bëri detyrën e saj, iu dha pagat e luftës sportistëve, do ua japë dhe këtë muaj. Do ishte mirë të jepte dhe Qeveria, përderisa po bën gjithë këto investime në terrene, stadiume. Edhe futboll janë shumë njerëz që punojnë aty, jo vetëm futbollistët, por me qindra-mijëra. Edhe ata kanë nevojë për ndihmë. Federata, me fondet e veta, e ka kryer detyrën e saj”.

STADIUMI – “Ne si ekip futbolli, kemi thënë që po të luanim në stadiumin tonë, do të ishim në krye të tabelës dhe me diferencë nga vendi i dytë. Stadiumi na ka munguar, ka ndikuar në rezultate. Edhe pse në situatë pandemie, kanë punuar në stadium, me shumë pak ditë pushime. Them që kompania i ka kapacitetet për ta përfunduar stadiumin deri në muajin gusht, që klubi të ketë stadiumin e tij për sezonin e ardhshëm, me tifozët pranë”, përfundoi Gjici./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!