Safet Gjici, presidenti i Kukësit, është bërë pjesë e emisionit “Pressing” në ABC, përmes një lidhjeje direkte. Të mërkurën verilindorët prezantuan trajnerin e ri, Mirel Josën, ndërkohë që vijnë pas dy fitoreve radhazi në kampionat.
Sigurisht Europa është një objektiv që te Kukësi as nuk duan ta diskutojnë dhe do tentojnë t’i shkojnë deri në fund edhe Kupës së Shqipërisë, duke parë që për titullin kampion për momentin është e vështirë të flasësh.
“Kampionatin e fiton më i miri. Normalisht nuk bëhet fjalë për dorëzim, por duhet t’i shohim ndeshjet një e nga një. Nuk heqim dorë, por jemi larg me pikë. Kemi prioritet Kupën dhe Europën. Nuk mund të themi 100 për qind që mund ta sulmojmë titullin. Po na erdhi, do tentojmë. Duke parë e duke bërë”, tha Gjici fillimisht.
“Josa në pankinë? Natyrisht që klubi vendosi për trajnerin dhe ka menduar që në këtë situatë të merrte këtë vendim. Për shkak të mungesës së pikëve dhe eksperiencës, Hallaçi është i ri me perspektivë, morëm Josën. Duhej një trajner me eksperiencë.
Besoj se është një zgjedhje e mirë, ai ka kohë në kampionat dhe ka më shumë trofe se çdo trajner tjetër. Ka shkuar deri në grupet e Europa League. Mendoj se është zgjedhje e mirë, por futbolli do edhe fat. Josa, bashkë me Hallaçin, besoj se do marrin rezultate të mira dhe do e ngjitin Kukësin aty ku ka qenë”.
“Ndrrimet e shpeshta? E morëm Gegën për të shkuar gjatë. Ishte pafat, prej COVID-it. Sëmundja bëri të veten. Kukësi ka ndryshuar trajnerë sa të tjerët, por flitet se ndërrojmë më shumë. Ndryshimet bëhen vetëm prej rezultateve. Ose edhe dorëhiqen sikur ndodhi me Gegën.
Je i detyruar të bësh lëvizje, nisesh për mirë, por edhe nuk ecën. Kur kemi ndryshuar trajnerë i kemi realizuar objektivat. Kemi 10 vite që marrim pjesë në Europë. Ne duhet t’ia bëjmë hyzmetin dhe me këtë staf e ekip të marrim rezultatet që na duhen”.
“Hallaçit nuk i është premtuar vendi. Meqë e doni më shumë ju Hallaçin se ne… po ia fusni kot. PO ju tregoj të vërtetën. Ai është trajner i ekipit U21. E drejtoi ekipin kur ishte Gega me Covid eci mirë. Pasi u dorëhoq, atëherë lamë Hallaçin. Nuk ishte trajner i përhershëm. Ai është trajner i mirë dhe nuk duam ta djegim. Me rezultate të dobëta digjet. Tani me një trajner me eksperiencë duam të kompletohet dhe të jetë gati për të ardhmen”. /abcnews.al