“Gjici donte fitore me Fenerbahce”, Nexhipi: Katastrofë nëse nuk kapim Europën

schedule00:31 - 5 Shkurt, 2021

schedule 00:31 - 5 Shkurt, 2021

I ftuar në emisionin Pressing në ABC sonte është drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi. Gjatë fjalës së tij ai tregoi për objektivat e këtij sezoni dhe largimet e shumta gjatë verës së shkuar, që e kushtëzuan edhe ecurinë e ekipit këtë edicion.

“Kukësi e nisi shumë keq dhe humbëm shumë ndeshje. Me Gegën ndikuan shumë faktorë dhe nuk mundëm të bëjmë atë që deshëm. Rrahmani, që është legjendë e klubit e mori përsipër ekipin dhe bëri një punë shumë të mirë. Me ardhjen e Josës besoj se do marrim formën e duhur.

Me përvojën e tij dhe gjërat që po shoh në stërvitje mendoj se Josa do i japë shumë Kukësit. Ne si klub ishim në moment shumë delikat. Hallaçi e di që e nisi te ne për herë të parë dhe më pas ishte mendimi i të gjithë stafit drejtues të klubit, për ta spostuar Hallaçin në vendin e tij dhe për të marrë Josën.

Gjici ka pasur të drejtë kur ka thënë se titulli është larg. Ne do e provojmë sa do të kemi mundësi, por edhe Kupa do jetë në vëmendjen tonë. Në mbrojtje kemi pësuar shumë gola dhe gjatë viteve të fundit nuk na ka ndodhur kjo. Nuk kemi pasur shumë nivel mbrapa dhe kjo ka qenë pikë e dobët. Shpresoj të konsolidohemi edhe aty.

Me katërshen e sulmit mendoj jemi më të rrezikshmit në ofensivë. Në verë vendosëm t’i lironim lojtarët në fund të kontratave sepse nuk ishin në planet tona. Kukësi vitin e ardhshëm nuk do të ketë shumë ndryshime, kjo ishte hera e fundit. Me Obanor nuk ramë dakord për kontratën e re. Është lojtar me kualitet, por vendosëm të mos bëjmë ofertë tjetër.

Mes Mustën pas kualifikueseve të Europa League kishim një mosmarrëveshje dhe në futboll ndodhin këto. Gjici është shumë i apasionuar me futbollin. Tani është pak jashtë prej politikës, por në shkuarën ishte me klubin në çdo moment. Kur erdha në fillim ishte Pacult në krye të ekipit dhe ishin në Turqi.

Kishim miqësore me Fenerbahcen dhe më mori në telefon e më tha: ‘thuaju cunave të jenë të karikuar e dua fitore’. Unë në fakt u çudita sepse Feneri klub i madh, por në 20 minutat e para ishim 2-0 për ne. Ai është shumë kërkues, por ka të drejtë sepse derdh shumë para për këtë klub.

Kemi lojtarë të mirë në skuadër si Dragoshi e Bytyçi, që mund të ndihmojnë ekipin kombëtar U21. Vjet Abazaj ishte në huazim dhe u largua, për Rrocën peresidenti e la të largohet me dashamirësi, Shkurtajt i përfundoi kontrata.

Ka pasur lojtarë, me të cilët nuk ramë dakord. Financat? Mendoj se jemi klubi i vetëm për momentin në Shqipëri, që nuk kemi probleme financiare. Objektivi? Kupa dhe nëse nuk kualifikohemi në Europë do të ishte katastrofë”, përfundoi Nexhipi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!