“Titullin meriton ta fitojë Partizani”, ky është mendimi i Safet Gjicit, presidentit të Kukësit, i cili në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” në Supersport foli më së shumti për skuadrën e tij dhe shkaqet e rezultateve jo të mira. Gjici, i cili vazhdon të jetë numri një i klubit ‘de fakto’, thekson se arbitrat i kanë dëmtuar këtë sezon.
“Kukësi ka vuajtur nga goditja e arbitrave. Pak që kishim probleme që nuk luajmë brenda shtëpisë, arbitrat në 5 ndeshje na kanë hequr fitoren. Nuk dua të justifikoj punën e bërë dhe lojtarët, por kjo ka ndodhur dhe të gjithë janë dëshmitarë.
Arsyeja më madhore e kësaj ecurisë ka qenë stadiumi. Edhe ndërrimi i lojtarëve ka pasur efektin e vet, por nuk mund të justifikohet kjo renditje. Ne kemi treguar që luajmë mirë, ekipi është aty. Europa është e vështirë, por jo e pamundur. Matematika na e lejon”, shprehet Gjici.
Më tej ai shton: “Kukësi, veç stadiumit, këtë sezon ka pasur probleme të mëdha me arbitrat. Nuk e di arsyen pse. Ta godasësh Kukësin, në ndeshje të rëndësishme, siç na kanë goditur arbitrat, nuk është normale. Do të dëshiroja që mos kishte diçka të qëllimshme, por nuk kam prova.
Gjithsesi di të them që arbitrat e kanë goditur në të paktën 5 ndeshje. Edhe me Tiranën kishte gabime të mëdha, me dashje apo pa dashje. Nuk dua të justifikoj as stafin, as ata që kanë sjellë lojtarët te Kukësit. Kukësi pati një ecuri pozitive, kur ishte Gega i sëmurë. Fitoi 5 ndeshje resht.
Kur e panë që po ecnim, menduan të na godisnin me arbitrat, që mos merrnim ndonjë trofe. Goditja e parë është stadiumi, goditja e dytë është nga arbitrat, pastaj ka pasur probleme edhe në menaxhimin e brendshëm, unë nuk kam qenë afër tyre, siç rrija më përpara. Ndikon edhe largimi i lojtarëve si Rroca dhe Abazaj, që bënin diferencën.
Më e rëndësishmja për sivjet është ndërtimi i stadiumit. Besoj se në sezonin tjetër, Kukësi do të luajë në shtëpi dhe do të keni një skuadër pretendent për kampion. Do të vazhdojmë edhe me akademinë, si dhe ndërtimin e disa fushave të tjera”. /abcnews.al