Gjermania: Rusia po përdor urinë si armë dhe po mban peng të gjithë botën

schedule12:37 - 24 Qershor, 2022

schedule 12:37 - 24 Qershor, 2022

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock akuzoi Rusinë për përdorimin e “urisë si armë lufte”, duke thënë se po mban peng të gjithë botën, përpara një mbledhjeje të premten në Berlin, shkruan CNN.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së Antony Blinken do të jetë një ndër ata që marrin pjesë në konferencën mbi krizën e afërt të ushqimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Baerbock u tha gazetarëve në Berlin se ngjarja, e titulluar “Bashkimi për Sigurinë Ushqimore Globale”, do të trajtojë mungesat e furnizimit të shkaktuara nga lufta, ndërsa synon “stabilizimin e furnizimeve ushqimore në mbarë botën”.

Në konferencë do të marrim pjesë 50 delegacione, si dhe 40 ministra, nga e gjithë bota.

“Prioriteti kryesor është krijimi i rrugëve të besueshme të transportit për të lejuar eksportin e grurit nga Ukraina. Kushdo që nuk merr pjesë në konferencën e krizës së urisë duhet të pyesë veten se si mund të kontribuojë,” shtoi ajo.

Perëndimi ka kërkuar që Rusia të ndalojë bllokadën e porteve detare të Ukrainës. Ministrja gjermane e zhvillimit Svenja Schulze, e cila po fliste në të njëjtën konferencë për lajmet, tha se vendi do të shpenzojë 4.2 miliardë dollarë këtë vit në luftën kundër urisë globale.

Konferenca e Berlinit po zhvillohet ndërsa liderët e vendeve të G7 po përgatiten të takohen në resortin alpin bavarez të Schloss Elmau midis 26 dhe 28 qershorit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të diskutojë ndihmën financiare për Ukrainën me liderët e G7-ës me anë të një video-konferencë të hënën.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!