Gjermania rifillon pagesat për UNRWA e punë për palestinezët

schedule15:37 - 24 Prill, 2024

schedule 15:37 - 24 Prill, 2024

Gjermania do të rifillojë mbështetjen e saj për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Palestinezët (UNRWA). Pagesat për organizatën e ndihmës u pezulluan pas akuzave se bashkëpunëtorët mund të ishin të përfshirë në sulmin e milicisë terroriste të Hamasit ndaj Izraelit.

Njoftimi nga Ministria e Jashtme gjermane dhe Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të rifilluar mbështetjen erdhi dy ditë pasi një komision hetimor i OKB-së paraqiti raportin e tij mbi ndihmën e organizatës për palestinezët.

Grupi i ekspertëve shqyrtoi nga afër mekanizmat dhe procedurat e agjencisë së OKB-së që supozohet të garantojnë respektimin e parimeve të neutralitetit. Hetimi i komisionit, i kryesuar nga ish-ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, arriti në përfundimin se kishte vërtet probleme brenda UNRWA-së për sa i përket respektimit të neutralitetit. Një sërë reformash duhet të sigurojnë një punë më neutrale nga organizata humanitare në të ardhmen.

Gjermania kërkon zbatimin e reformave

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe Ministrisë Federale të Zhvillimit, thuhet se raporti i ekspertëve është i mirëseardhur dhe se reformat e planifikuara në të duhet të zbatohen “shpejt dhe plotësisht”. Komisioni hetimor kërkon, ndër të tjera, kontroll më të saktë të personelit të UNRWA-së dhe mbrojtje më të mirë të organeve të organizatës humanitare kundër përdorimit abuziv ushtarak.

“Në këtë kontekst dhe në mbështetje të këtyre reformave, qeveria gjermane do të vazhdojë së shpejti bashkëpunimin me UNRWA në Gaza”, vijon njoftimi për shtyp i publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme gjermane.

Disa shtete kanë ndalur pagesat

Akuzat ndaj organizatës humanitare u bënë publike në fund të janarit. Vetë Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini, tregoi se Izraeli i kishte transmetuar organizatës humanitare informacione, sipas të cilave disa bashkëpunëtorë ishin të përfshirë në sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Sulmi la më shumë se 1.100 të vdekur dhe rreth 250 persona të marrë peng nga milicia terroriste.

Kombet e Bashkuara njoftuan menjëherë një shqyrtim të plotë të akuzave. Përveç Gjermanisë, disa shtete kanë ndërprerë pagesat për organizatën humanitare, duke përfshirë SHBA, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Australinë, Francën, Finlandën dhe Italinë. Megjithatë, disa nga këto vende kanë rifilluar tashmë mbështetjen e tyre, si Suedia, Australia, Kanadaja dhe Japonia.

“Me bashkëpunim të vazhdueshëm akut, ne mbështesim rolin jetik dhe aktualisht të pazëvendësueshëm të UNRWA-s në furnizimin e popullsisë së Gazës, pasi organizatat e tjera ndërkombëtare të ndihmës janë gjithashtu aktualisht të varura nga strukturat operacionale të UNRWA-së në Gaza”, tha Ministria e Jashtme gjermane. Vitin e kaluar, Gjermania e mbështeti UNRWA-n, e cila është aktive edhe në vende si Siria, Libani dhe Jordania, me më shumë se 200 milionë euro.

Ministrja e Zhvillimit Schulze: iniciativë e punësimit të palestinezëve

Ministrja Federal e Zhvillimit, Svenja Schulze ka nisur një iniciativë punësimi në Bregun Perëndimor. Siç tha ministria e saj, ajo e lidhi marrëveshjen gjatë një takimi me kryeministrin e ri palestinez Mustafa në Ramallah.

Sipas marrëveshjes, rreth 25.000 vende të reja pune do të krijohen në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor gjatë tre viteve të ardhshme dhe do të sigurohen vendet ekzistuese të punës. Do të mbështeten edhe bizneset palestineze. Qëllimi është të sigurohet një stabilitet më i madh në rajon. Sipas të dhënave të ministrisë, papunësia në Bregun Perëndimor pothuajse u trefishua pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael dhe luftës së Gazës. Tani ajo është rreth 40 për qind./dw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!