Gjermania paralajmëron qytetarët e saj: Bëni kujdes kur udhëtoni drejt Maqedonisë së Veriut

schedule18:36 - 17 Dhjetor, 2022

schedule 18:36 - 17 Dhjetor, 2022

Ministria e Jashtme e Gjermanisë paralajmëroi sot qytetarët gjermanë që të kenë kujdes të shtuar kur udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, për shkak të kërcënimeve me bombë në kryeqytetin Shkup.

Ministria e Jashtme gjermane rekomandon që qytetarët gjermanë të jenë të informuar për situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut përmes mediave të besueshme lokale dhe mediave sociale dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve lokale dhe forcave të sigurisë.

“Kërcënimet me bombë kundër institucioneve dhe objekteve publike janë regjistruar së fundi në kryeqytetin Shkup. Fillimisht në shënjestër ishin shkollat dhe ndërtesat publike, por që atëherë ka pasur kërcënime me bombë kundër hoteleve dhe ndërtesave të tjera joqeveritare. Më në fund, u konsiderua e nevojshme evakuimi në aeroporti ndërkombëtar i Shkupit, ku trafiku është dashur të ndalet përkohësisht”, thuhet në këtë paralajmërim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Maqedonia e Veriut ka marrë disa kërcënime me bombë gjatë dy muajve të fundit, të gjitha kanë rezultuar të rreme. Vetëm dje një kërcënim për bombë ka mbërritur edhe në aeroportin e Shkupit, i cili për masa paraprake është evakuuar dhe fluturimet në mëngjes janë ndërprerë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut flet për “kërcënime hibride”, të cilat janë intensifikuar që nga lufta në Ukrainë.

“Është pothuajse e pamundur të gjurmohet se nga vijnë këto kërcënime, pasi një pjesë e madhe e tyre mbërrijnë përmes lidhjeve VPN nga jashtë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha sot se vendi ka kërkuar ndihmën e NATO-s për t’u përballur me këto kërcënime hibride. Osmani vuri në dukje se kohët e fundit ka pasur shumë kërcënime me bomba në rajon, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!