Gjermania organizon Europianin e vitit 2024

schedule20:30 - 27 Shtator, 2018

schedule 20:30 - 27 Shtator, 2018

Gjermania do të organizojë Kampionatin Europian të futbollit të vitit 2024. Kjo, pas fitores ndaj Turqisë në votimin e UEFA-s, që përfundoi me rezultat të thellë në favor të gjermanëve.

Lajmin, siç i takonte, edhe dha presidenti.

Gjermania do të organizojë Kampionatin Europian të vitit 2024, kjo ishte fjalia që doli nga goja e kreut të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, në selinë e organizatës në Nion të Zvicrës.

Gjermanët, katër herë kampionë të botës dhe tri herë të Europës, fituan duelin ndaj Turqisë, rivalit të vetëm në këtë garë për të fituar të drejtën e turneut të madh.

Rezultati i votimit ishte 12-4 dhe, ndonëse Gjermania mund të quhet fituesi më i merituar dhe më i kualifikuar, pritet që të pasohet nga polemika.

Debatet madje kanë filluar edhe brenda vetë shtetit të madh europian, me tifozët që sulmuan Federatën për korrupsion.

Kjo do të jetë hera e dytë që Gjermania do të organizojë Europianin.

Hera e parë ndodhi në 1988, kur kampione e kontinentit doli Holanda, me fitoren 2-0 ndaj Bashkimit Sovjetik në finalen e luajtur në “Olimpia Shtadion” të Mynihut.

Më pas, gjermanët organizuan Botërorin vitit 2006, të cilin e fitoi Italia, me suksesin me penallti ndaj Francës në ndeshjen fundore në “Stadiumin Olimpik” të Berlinit.

Kombëtarja gjermane, në të dyja rastet, në Euro 1988 dhe në Kupën e Botës 2006, u eleminua në gjysmëfinale, dhe gjithnjë nga kampionia e ardhshme.

Tifozët shpresojnë që në 2024 të ndodhë ndryshe, dhe ekipi i tyre i zemrës të shpallet kampion./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!