Gjermania njofton 130 milionë dollarë më shumë ndihmë humanitare për Ukrainën

schedule21:25 - 5 Maj, 2022

schedule 21:25 - 5 Maj, 2022

Gjermania do të mbështesë Ukrainën me 130 milionë dollarë të tjera ndihmë humanitare, njoftoi kancelari gjerman Olaf Scholz në një video-mesazh gjatë një konference donatorësh në Varshavë.

Paratë “do të ndihmojnë në forcimin e rezistencës ukrainase ndaj sulmeve ruse”.

Scholz tha gjithashtu se synon t’i sigurojë Ukrainës 147 milionë dollarë të tjera për financimin e zhvillimit.

Lexo edhe:Politico demaskon filorusët, mes tyre edhe Angela Merkel, mbështetëse e “zjarrtë” e Putinit

“Me çdo ditë që kalon që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, me çdo mizori të kryer nga ushtarët rusë, vendosmëria dhe uniteti ynë vetëm sa forcohen”, tha Scholz.

“Ne jemi të vendosur fort: Putini nuk duhet ta fitojë këtë luftë. Dhe ai nuk do ta fitojë atë.”

Për vite, Gjermania ka qenë donatori i dytë më i madh i ndihmës financiare për Ukrainën, tha Scholz.

Në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga qeveria gjermane, Scholz tha se në fillim të prillit, Gjermania premtoi 425 milionë euro për ndihmë humanitare dhe bashkëpunim zhvillimor, si dhe 70 milionë euro për furnizime mjekësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Për më tepër, Gjermania kishte dhënë edhe 430 milionë euro të tjera për të zbutur pasojat katastrofike që po sjell lufta ruse në sigurinë globale të ushqimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencë, bëri thirrje për një “version modern” të Planit Marshall për rindërtim.

Zelensky tha se për t’u kthyer në një jetë të sigurt, vendi i tij do të kërkonte para, teknologji, specialistë dhe perspektiva për rritje.

“Ky do të jetë një investim në stabilitetin e të gjithë Evropës Qendrore dhe Lindore”, tha Zelensky, sipas deklaratës për shtyp të qeverisë gjermane.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!