Gjermania nën kritika të ashpra pas humbjes me Holandën

schedule19:55 - 14 Tetor, 2018

schedule 19:55 - 14 Tetor, 2018

Kombëtarja gjermane është nën kritika të ashpra pas humbjes së rëndë ndaj Holandës në Ligën e Kombeve. I akuzuari kryesor, trajneri Joakim Lëv.

Cila skuadër mund të pësojë 6 humbje në 10 ndeshjet e fundit? Padyshim që nuk mund të jetë Gjermania, por ja që është pikërisht ajo. Kampionia e botës deri në qershor të këtij viti, kapitulloi përsëri, madje për zemërimin e tifozëve, në derbin aq shumë të ndjerë ndaj Holandës. Askush nuk mund ta mendonte që formacioni holandez, prej vitesh i çoroditur plotësisht, do të ishte në gjendje të shkatërronte 3-0 katër herë kampionët e botës, në ndeshjen e Ligës së Kombeve në Amsterdam. Van Dajk, Depai dhe Vajnaldum ishin autorët e golave. Kjo disfatë, bashkë me barazimin në fushën e vet ndaj Francës, rrezikojnë që Gjermania të bjerë nga kategoria në këtë kompeticion, duke zbritur në nivelin B. Paradoksi ishte i madh, pasi skuadra e trajnerit Joakim Lëv pati mjaft raste për të shënuar, pra ishte në gjendje të luante futboll, ndërsa deri në minutën e 87-të rezultati ishte vetëm 0-1.

“Ne kemi humbur besimin, – ishte analiza e Joakim Lëvit, – problemi ynë më i madh është që nuk po shfrytëzojmë rastet. Mund të kishim kaluar të parët në avantazh, patëm disa mundësi gjatë ndeshjes, dhe gjithçka do të kishte shkuar ndryshe”.

Lëv u bë pikërisht ndaj Holandës, trajneri rekordmen i Gjermanisë me 168 ndeshje në stol, por nuk ishte një mbrëmje e lumtur. Ish-ylli Mikael Balak ishte shprehur kritik ndaj Lëvit që përpara ndeshjes, duke thënë për “Dojçe Velen” se “jam i habitur sesi trajneri nuk u shkarkua pas Botërorit”. Legjenda e dikurshme e Gjermanisë, Oliver Kahn, i doli në krah trajnerit, por me paralajmërim.

“Tashmë, Botërori ka mbetur prapa, – u shpreh ai në studion e ZDF-së, – kritika të tilla nuk ndihmojnë, por vetëm prishin punë. Është e qartë se lojtarët dhe trajneri janë në borxh me publikun, por është koha që futbollistët dhe sidomos kampionët e botës të tregojnë veten”.

Mediat gjermane, padyshim që ishin të ashpra.
“Bild”: “Bilanci horror i Jogit, Gjermania nuk kishte pësuar kaq shumë humbje që nga viti 1985. Presidenti flet për krizën, por kritikat për trajnerin janë me tone të buta”.
Revista “Kiker”: Kombëtarja, vetëm karrikatura e vetvetes! Presidenti Grindel për thirrje për unitet, ndërsa drejtori sportiv, Birhof, nuk pranon të flasë.
“Berliner Cajtung” bën ironi për lojtarët e Bajernit: Blloku i Bajernit, Nojer, Humels, Boateng, Myler, zgjuan simpati në kombëtare!
“Frankfurter Algemajne Cajtung” flet për tifozët: Ne nuk jemi aspak fajtorë! Tifozët iu kundërvunë lojtarëve kur këta shkuan t’i përshëndesnin pas ndeshjes.

Joakim Lëv ende nuk mund të thuhet se rrezikon postin, por për tifozët kjo nuk ka shumë rëndësi. Kryesorja është se kur Gjermania e tyre do të jetë përsëri e madhe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!