Gjermania kërkon ekstradimin e Puigdemont në Spanjë

schedule12:55 - 3 Prill, 2018

schedule 12:55 - 3 Prill, 2018

Prokuroria gjermane ka kërkuar ekstradimin e ish-Presidentit të Katalonjës, Karles Puxhdemon, në Spanjë, ku akuzohet për rebelim dhe shpërdorim fondesh. Vendimi për këtë kërkesë do të merret në ditët në vijim.

Prokurori i shtetit gjerman të Schleswig-Holstein i ka kërkuar gjykatës së lartë që të lejojë ekstradimin për në Spanjë të ish-Presidentit të Katalonjës, Karles Puxhdemon. Ky i fundit u arrestua sapo hyri në tokën gjermane me anë të një automjeti nga Danimarka. Destinacioni i tij ishte Belgjika.

Gjithashtu prokuroria gjermane kërkoi edhe që Puxhdemon të qëndrojë në burg, derisa gjykata të marrë një vendim. Spanja ka lëshuar një mandat arresti europian kundër ish-liderit të rajonit autonom, të cilin e akuzon për rebelim dhe abuzim me fondet publike. Të gjitha këto akuza lidhen me referendumin për pavarësi të Katalonjës të zhvilluar Tetorin e kaluar.

Puxhdemon është ndaluar në Gjermani që prej 25 Marsit. Prokurori i përgjithshëm i Schleswig-Holstein, ka njohur vlefshmërinë e dy akuzave nga Madridi për rebelim dhe shpërdorim fondesh publike. Por vendimi përfundimtar do të mere nga gjykata gjermane në ditët në vijim. Nëse ekstradohet, Puxhdemon do të burgosej menjëherë në Spanjë dhe kundër tij do të zhvillohej një process gjyqësor.

Shumë analistë mendojnë se Madridi nuk mund të garantojë një proces të drejtë, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ai nuk u ekstradua herën e parë, kur u arrestua në Belgjikë. Megjithatë, në rast të ekstradimit, Puxhdemon rrezikon deri në 30 vite burg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!