Autoritetet gjermane vijojnë të kërkojnë me ngulm personel në shëndetësi nga Shqipëria dhe Kosova për të mbushur postet vakante. Megjithatë po punon për një sistem, që do të garantojë që këto dy vende të mos kenë mungesë profesionistësh në këtë fushë.
Me një program prej disa miliarda eurosh qeveria gjermane synon të kapërcejë mungesat në stafin e kujdesit për të moshuarit dhe në infermierë. I ashtuquajturi “aksion i koordinuar në sektorin e kujdesit shëndetësor” u prezantua në Berlin dhe përfshin së paku tre ministri, atë të Shëndetësisë, të Familjes e Ministrinë e Punës. Brenda një viti tre ministritë do të hartojnë së bashku me 40 organizata partnere një program për furnizimin e tregut të punës me infermierë. Bëhet fjalë për afro 13 mijë vende të reja pune në sektorin e kujdesit për të moshuarit, ndërkohë që mbi 35 mijë vende pune në sektorin e infermierisë dhe kujdesit shëndetësor janë vakant që tani.
Për të papunët në vend ky profesion është jo atraktiv. “Vetëm 28 konkurrues ka për çdo 100 vende vakante”, tha ministrja e Familjes, Franziska Giffey. Prandaj edhe krahas përmirësimit të kushteve të punës e rritjes së pagës kjo mangësi do të plotësohet nëpërmjet rekrutimit masiv nga vende si Shqipëria dhe Kosova. “Këto vende kanë shkolla shumë më të mira se ç’mund të mendojë dikush”, tha ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn. Ai shtoi se deri tani është fituar një përvojë e mirë me to, dhe se në të ardhmen rekrutimi do të bëhet ndoshta më i organizuar dhe më i strukturuar.
Deri tani një problem që kanë patur disa infermierë që kanë ardhur në Gjermani ka qenë njohja e diplomave të huaja. Për këtë po punohet për reduktimin e kohës së njohjes së diplomave, që duhet të bëhet në Gjermani. Një element tjetër i këtij plani është edhe rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve të punës, duke i lidhur pagat me tarifat e sindikatave. Megjithëse shkollat shqiptare nxjerrin shumë infermierë, afro 3000 në vit, ekspertët janë të shqetësuar për mungesën e profesionistëve nëpër spitale, pasi infermierët më me përvojë po largohen. Megjithatë, atoritetet gjermane po punojnë me Organizatën Botërore të Shëndetit që spitalet shqiptare të mos kenë mungesë në këtë drejtim./abcnews.al