Gjermania i shton kontrollet kufitare për ta parandaluar valën e re të emigrantëve

schedule10:13 - 17 Tetor, 2023

schedule 10:13 - 17 Tetor, 2023

Gjermania njoftoi të hënën se do t’i shtojë kontrollet kufitare përgjatë kufijve lindorë dhe jugorë, për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve.

Berlini e njoftoi Bashkimin Evropian (BE) për kontrolle të shtuara në pikat kalimtare me Republikën e Çekisë, Poloninë dhe Zvicrën, për ta parandaluar trafikimin dhe emigrimin e parregullt, tha Ministria e Brendshme e Gjermanisë në një komunikatë.

“Tani është e nevojshme të merren të gjitha masat e mundshme për ta ndalur këtë biznes mizor”, tha ministrja e Brendshme Nancy Faeser.

Derisa Zvicra nuk është në BE, ajo është pjesë e Zonës Shengen për kufij të hapur, bashkë me Gjermaninë, Poloninë dhe Republikën e Çekisë.

Brenda Zonës Shengen, kontrollet kufitare lejohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe para se të zbatohen ato, duhet të njoftohet Brukseli.

Gjermania, po ashtu, e njoftoi BE-në për zgjatjen e kontrolleve ekzistuese kufitare me Austrinë, që nisën pas krizës me emigrantë nga viti 2015, kur qindra mijëra njerëz u futën vrullshëm në Gjermani.

Kontrollet e reja me Republikën e Çekisë, Poloninë dhe Zvicrën do të zgjasin 10 ditë duke nisur nga sot dhe mund të zgjaten deri në dy muaj maksimum, tha Ministria.

Kontrollet me Austrinë do të zgjaten për gjashtë muaj nga 12 nëntori.

“Ne duam t’iu kthehemi kufijve të brendshëm, ku nuk do të kemi nevojë të kryejmë kontrolle”, tha Faeser, duke e theksuar rëndësinë e rregullave të përbashkëta evropiane.

Gjermania i rriti kontrollet e sigurisë për gjatë kufijve me Poloninë dhe Çekinë në shtator, duke e dyfishuar numrin e kontrolleve për ta luftuar ardhjen e emigrantëve të rinj.

Në shtator, Gjermania i regjistroi mbi 250.000 kërkesa për azil vetëm nga janar, më shumë se tërë vitin 2022./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!