Gjermania gati të dislokojë trupa të përhershme në Lituani

schedule23:32 - 26 Qershor, 2023

schedule 23:32 - 26 Qershor, 2023

Berlini është gati të dislokojë në Lituani, 4000 trupa ushtarake të përhershëm, në koordinim me planet për mbrojtje të NATO-s të lidhura me agresionin rus në Ukrainë, tha të hënën ministri gjerman i mbrojtjes.

“Gjermania i qëndron angazhimit të saj si anëtare e NATO-s dhe ekonomia më e madhe e Evropës, për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor”, tha zoti Boris Pistorius gjatë një vizite në Vilnius të hënën, pa dhënë një afat kohor.

Ai tha se parakusht duhet të jetë infrastruktura e nevojshme. Berlini është shprehur në të kaluarën se Lituanisë do t’i duheshin vite për të siguruar kazerma, zona banimi për familjet, depo dhe mjedise për stërvitje.

“Ne pajtohemi që trupat do të vazhdojnë të shtohen ndërsa krijohet infrastruktura e duhur”, tha zoti Pistorius, duke shtuar se dislokimi nuk mund të përfundonte brenda “disa muajsh”.

Stacionimi duhet të jetë gjithashtu në përputhje me planet rajonale të NATO-s, duke detajuar se si do t’i përgjigjej një sulmi rus, theksoi ministri.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se ai synon që ndërtimi i infrastrukturës të përfundojë deri në vitin 2026.

“Ne po thjeshtojmë procedurat…që të mund të finalizojmë ndërtimin e infrastrukturës deri në vitin 2026”, tha ai. “Por unë nuk do të zemërohem nëse Ministri i Mbrojtjes do ta përfundonte projektin në vitin 2025”.

Gjermania tashmë drejton batalionin luftarak shumëkombësh të NATO-s në Lituani, prej rreth 1000 trupash. Përtej kësaj, një brigadë gjermane është në gatishmëri në Gjermani për të përforcuar me shpejtësi praninë në Lituani nëse do të ishte e nevojshme. Megjithatë, Vilniusi ka kërkuar prej kohësh praninë e përhershme të një brigade të plotë gjermane.

Ministri Pistorius dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkuan në Lituani për të marrë pjesë në një stërvitje që do të vërë të provë shpejtësinë e kapaciteteve përforcuese të pranisë ekzistuese luftarake të NATO-s, një skenar që duhet të zbatohet në rast të rritjes së tensioneve ose një konflikti me Rusinë.

Zoti Stoltenberg e mirëpriti njoftimin e Gjermanisë, por hodhi poshtë thirrjet për shtimin e menjëhershëm të trupave përgjatë krahut lindor të aleancës, në përgjigje ndaj rebelimit në Rusi.

“Nuk ka të bëjë me praninë, por me aftësinë për të pasur paralajmërime dhe tregues të hershëm, dhe më pas për të reaguar shpejt nëse është e nevojshme, ndaj kjo stërvitje tregon pikërisht këtë”, tha ai.

Udhëheqësit e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11-12 korrik./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!