Gjermania rruan traditën e viteve të fundit dhe fiton aktin e parë të “Klasikes së Europës” në çerekfinalet e Ligës së Kombeve.
Skuadra e drejtuar nga Jualian Nagelsman mundi me përmbysje 2-1 Italinë , në sfidën e luajtur në “San Siro”.
Goli shpejtë i Tonalit që në minutën e nëntë I dha epërsinë italianëve, ndërsa shpresat e të kaltërve për fitore ishin të mëdha deri në fundin e pjesës së parë.
Por pas pushimit, Gjermania barazoi shpejt shifrat me Kleindienst vetëm katër minuta pas rinisjes së lojës.
Përmbysja e madhe e “Panzerave” erdhi në minutën e 76-të me golin e Gorecka.
Me këtë fitore, Gjermani afrohet me gjysmëfinalet e turneut, pasi ndeshjen e kthimit do ta luajë të dielën në shtëpinë e saj.
Në barazim 2-2 u mbyll ndeshja tjetër e madhe e çerekfinaleve të Ligës së Kombeve, mes Holandës dhe Spanjës.
Niko Ulliams shënoi I pari në minutën e nëntë për kampionët e Europës, por Gakpo barazoi rezultatin në pjesën e parë.
“Tulipanët” kthyen shifrat në favorin e tyre me Reijnders në nisje të fraksionit të dytë. Por ndeshja u komplikua për vendasit me kartonin e kuq të Hato, ndërsa me një lojtar më shumë në fushë, Spanja barazoi shifrat me Migel Merino në minutën e tretë shtesë.
Mes favoritëve të Ligës së Kombeve, zhgënjimin më të madh e jetoi Franca, që u mund 2-0 nga Kroacia.
Skuadra e Zlatko Daliç jetoi një mbrëmje triumfi falë golave të shënuar në pjesën e parë nga Budimir dhe Perisiç.
Me këtë sukses, kroatët janë shumë pranë kualifikimit në gjysmëfinale, megjithëse duhet të luajnë sfidën e kthimit të dielën në Paris.
Nuk bën më mirë as Portugalia.
Crsitiano Ronaldo dhe shokët e tij u mundën 1-0 në fushën e Danimarkës në sfidën e vajtjes çerekfinale në Ligën e Kombeve.
Eriksen gaboi nga pika e penalltisë në pjesën e parë, por në fraksionin e dytë Hojlund në minutën e 78-të shënoi golin e fitores për danezët. Për të vazhduar rrugën në fazën tjetër drejt trofeut të Ligës së Kombeve, Portugalia duhet të përmbysë shifrat në ndeshjen e kthimit që do të luajë në shtëpi. /abcnews.al