Gjermania fillon kontrollet kufitare mes debatit për emigracionin

schedule16:57 - 18 Shtator, 2024

schedule 16:57 - 18 Shtator, 2024

Policia gjermane dhe roja kufitare filluan të hënën kontrollin në të gjitha vendkalimet tokësore të individëve që futen në vend. Autoritetet thonë se po vënë në shënjestër ata që dyshohet të jenë emigrantë të paligjshëm.

“Duam të mbajmë në minimum shqetësimin për udhëtarët dhe transportin e mallrave”, thotë Dieter Hutt, zëdhënës i Policisë Federale të Gjermanisë.

Gjermania është pjesëtare e zonës së Shengenit. Vendet anëtare mund bëjnë kontrolle në kufi në rast të kërcënimeve serioze për politikat publike apo sigurinë e brendshme. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se masa ishte e nevojshme.

“Numri i emigrantëve që futen në Gjermani në mënyrë të parregullt është shumë i madh”, tha Kancelari Scholz.

Në vitin 2015, pas Pranverës Arabe, Gjermania pranoi më shumë se një milion emigrantë. Gjithashtu, ky vend strehon më shumë se një milion refugjatë ukrainas.

Fluksi nxiti një reagim të ashpër mes votuesve gjermanë, të cilët mbështetën partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, duke shënuar një fitore të papritur në zgjedhjet e fundit rajonale.

Shumë nga fqinjët e Gjermanisë kanë reaguar me zemërim lidhur me kontrollet në kufi.

“Padyshim që situata e brendshme politike në Gjermani ka ndikuar në hedhjen e këtyre hapave dhe jo politika jonë ndaj imigracionit të paligjshëm në kufijtë tanë”, tha Kryeministri polak Donald Tusk.

Kontrollet kufitare mund të minojnë unitetin evropian në terma afatgjatë, thotë për Zërin e Amerikës analisti Raphael Bossong.

“Mund të përkeqësojë më tej prirjen e akuzave të ndërsjella, forcimin e të djathtës ekstreme dhe rritjen e euroskepticizmit. Nuk e dimë se ku do të përfundojmë me këtë lloj prirje”.

Gjermania po shton gjithashtu kthimin e atyre që nuk u është pranuar kërkesa për azil. Analisti Bossong thotë se kjo është një çështje e komplikuar.

“Nuk po flasim për transportin e mallrave por për njerëz. Po ashtu po përballemi me shtytës të ndryshëm të migrimit të çrregullt. Disa mund të përpiqen të përfitojnë nga stimujt të ndryshëm, të tjerët më pak, duke patur parasysh luftërat e ndryshme dhe konfliktin në Evropë. Këto gjëra nuk janë nën kontrollin tonë.”

Ndërkohë, një zyrtar i qeverisë gjermane tha kohët e fundit se Berlini mund të kërkojë të arrijë një marrëveshje me Ruandën për t’i dërguar azilkërkuesit atje në pritje të shqyrtimit të dokumenteve. Në muajin korrik, Britania hoqi dorë nga një plan i ngjashëm./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!