Gjermania dhe Hungaria nuk i mbështesin sanksionet ndaj energjisë ruse

schedule18:19 - 7 Mars, 2022

schedule 18:19 - 7 Mars, 2022

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Evropa nuk mund të sigurojë furnizimet e saj me energji pa importe nga Rusia.

Energjia u la qëllimisht jashtë raundeve të mëparshme të sanksioneve, tha Scholz në një njoftim për shtyp të hënën, duke shtuar se energjia e Rusisë ka “rëndësi thelbësore” për jetën e përditshme të qytetarëve të saj.

Ndërkohë, edhe ministri hungarez i financave Mihaly Varga tha se qeveria e tij nuk do të mbështesë asnjë sanksion ndaj energjisë ruse.

Në një video në Facebook të postuar të hënën, ai foli për dëmin thelbësor që sanksionet ekzistuese ndaj Rusisë kanë pasur në ekonominë e saj.

“Ata që kërkojnë zgjerimin e sanksioneve, duan që populli hungarez të paguajë çmimin e luftës”.

Mos harroni: BE-ja mbështetet tek Rusia për 40% të nevojave të saj për gaz dhe rreth 27% të importeve të naftës.

Kur u pyet për potencialin për sanksione ndaj energjisë ruse në një konferencë shtypi të hënën, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se opsionet që ishin të paimagjinueshme tre javë më parë, tani janë “shumë në tryezë”.

“Duhet të shqyrtojmë se si të gjithë mund të largohemi sa më shpejt që të jetë e mundur nga varësia, varësia nga hidrokarburet ruse, nafta dhe gazi rus. Të gjithë po e bëjnë këtë. Të gjithë janë në të njëjtin udhëtim. Disa vende do ta kenë më shpejt dhe më lehtë se të tjerët”, shtoi ai.

Të dielën, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken i tha CNN se SHBA po punon me aleatët e saj në Evropë për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse në një përpjekje për të ndëshkuar më tej vendin.

Pasojat e një ndalimi të importit të naftës ruse do të kishin ndikim të kufizuar në SHBA duke qenë se Rusia përfaqëson më pak se 2% të importeve të saj të përgjithshme të naftës. /Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!