Qeveria gjermane ka hartuar një plan që parashikon rreth 80 miliardë euro shpenzime për emigrantët, që do të ketë në fokus arsimimin dhe integrimin e tyre në shoqëri, si dhe zgjidhjen e problemit të emigracionit tek rrënjët e tij.
Gjermania pritet të shpenzojë në 4 vitet e ardhshme deri në 78 miliardë euro për emigracionin dhe problemet e lidhura me të. Lajmin e bën të ditur revista “Der Spiegel”, sipas të cilës nga shuma në fjalë 31 miliardë do të përdoren për zgjidhjen e fenomenit tek rrënjët e tij; pra, tek shkaqet që detyrojnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre dhe t’i drejtohen Europës. Revista i referohet një programi të hartuar nga Ministria gjermane e Financave, sipas të cilit nga 78 miliardë, 8 do t’u transferohen landeve dhe komuniteteve për të plotësuar nevojat e tyre, 13 miliardë do të shkojnë për kurse gjuhe dhe programe integruese, 5.2 miliardë për procesin e regjistrimit dhe akomodimit, si dhe 21 miliardë të tjerë për nevoja të ndryshme. “Der Spiegel” shkruan se qeveria gjermane po punon për të integruar mbi 1 milion refugjatë që hynë në vend në vitet 2015 dhe 2016, pas vendimit të kancelares Merkel për t’i pritur ata, që rriti në nivel rekord popullaritetin e saj. Pakënaqësia ndaj këtij vendimi bëri të mundur që partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë të hynte në dhomën e ulët të Parlamentit në zgjedhjet e shtatorit. /abcnews.al