Barazimi ishte rezultati më i drejtë në miqësoren e luksit mes Gjermanisë dhe Spanjës. Të dyja palët vlerësuan kundërshtarin, ndërsa sfida vendimtare mund të zhvillohet në Botëror.
Nëse duhej një test, ky ishte më i forti. Gjermania dhe Spanja kuptuan sesa vlenin, kur u përballën mes tyre në stadiumin supermodern të Dyseldorfit, me miqësoren e luksit që përfundoi në barazim.
Asnjëri nga gjigandët nuk mundi ta thyente tjetrin, ndërsa llogaritë përfundimtare mesa duket do të lahen në finalet e Kupës së Botës.
Sfida që u vendos nga golat e Rodrigo Morenos për miqtë dhe Tomas Mylerit për vendasit, i la të gjitha palët të kënaqura, por edhe me respekt të shtuar ndaj njëra-tjetrës.
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv tregoi arsyet që e bënë të lumtur.
Joakim Lëv: “Mendoj se ishte një test i madh për të dyja skuadrat. Ne mund të mësojmë shumë nga kjo ndeshje dhe kjo ishte arsyeja që ne donim të luanim ndaj ekipeve si Spanja apo Brazili. Nuk mund ta dish nivelin që ke nëse nuk ndeshesh me kundërshtarë të tillë. Pavarësisht lojës që zhvilluam, mendoj se mund të përmirësohemi edhe më shumë, dhe besoj se asnjëra nga skuadrat nuk tregoi gjithçka”.
Ja edhe autori i golit për kampionët e botës, ylli i Bajernit, Thomas Muller.
Thomas Muller: “Jam shumë i lumtur për golin, edhe pse nuk fituam. Ishte momenti që besova se mund të shënoja dhe ia dola. Goli ishte vërtet i bukur, por e rëndësishme është që ne luajtëm mirë si skuadër. Spanja është një skuadër e madhe, një nga rivalët më të fortë për titullin botëror, dhe një barazim ndaj saj mund të quhet normal. Mendoj se në përgjithësi na shkoi gjithçka mirë”.
Edhe Spanja mund të quhet e kënaqur, pasi barazoi në fushën e rivalit të madh. Trajneri Hulen Lopetegi e vlerësoi lart paraqitjen e skuadrës së tij.
Hulen Lopetegi: “Opinioni im i përgjithshëm është shumë i mirë. Ne po luanim ndaj kampiones së botës, ndaj atij që është logjikisht më i miri në botë. Gjermania është skuadër shumë e motivuar dhe kjo u pa në fushën e lojës. Edhe ne luajtëm mirë dhe patëm shanset tona, ashtu siç i pati edhe Gjermania. Nuk mund të vish këtu dhe të dominosh për 90 minuta, por Spanja luajti me personalitet të madh. Gjithsesi, duhet ende të përmirësohemi”.
Në atë që mund të quhet si një finale e parakohshme e Botërorit rus, pjesa e parë ishte thuajse e barabartë, ndërsa pas pushimit rastet më të mira i patën gjermanët.
Portieri spanjoll, De Gea, bëri pritje të mëdha ndaj Drakslerit e Gyndoganit, ndërsa Humels goditi shtyllën.
Edhe spanjollët iu afruan golit me anë të Iskos dhe Diego Kostës, ndërsa shqetësimi më i madh ishte për vendasit, pas dëmtimit të Sami Kedirës./abcnews.al