Gjermani, protestë kundër racizmit në zemër të Berlinit

schedule22:18 - 13 Tetor, 2018

schedule 22:18 - 13 Tetor, 2018

Një protestë masive kundër racizmit është mbajtur të shtunën në zemër të Gjermanisë. Për ministrin e Jashtëm, Hajko Mas, pjesëmarrja e mbi 240 mijë personave është tregues se shoqëria gjermane mbështet politikën e tolerancës dhe dyerve të hapura.

Dhjetëra mijëra persona kanë manifestuar të shtunën në Berlin kundër racizmit dhe diskriminimit, në një kohë kur në gjithë Gjermaninë është rritur frika nga aksionet e dhunshme të ekstremit të djathtë. Grupe të ndryshme, përfshirë shoqatat pro-refugjatëve, për të drejtat e homoseksualëve dhe myslimanëve kanë mbështetur manifestimin e mbajtur në zemër të kryeqytetit gjerman. “Solidaritet, jo dëbim” dhe “Demokraci për një shoqëri të hapur e të lirë”, kanë qenë disa nga parullat e ngritura në protestë, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm, Hajko Mas.

“Ky tubim është një tregues i fortë se shumica dërrmuese e shoqërisë sonë mbështet tolerancën dhe politikën e dyerve të hapura”, ka thënë Mas. Organizatorët e manifestimit kanë deklaruar se në të kanë marrë pjesë rreth 242 mijë persona, shumë më tepër se në protestat e organizuara më herët nga partia anti-emigracion Alternativa për Gjermaninë. Ndërkohë, policia ka refuzuar të japë të dhëna mbi numrin e pjesëmarrësve, të cilët kanë bërtitur “Ndërtojmë ura, jo mure”, “Të bashkuar kundër racizmit” dhe “Të vendosur për një shoqëri të hapur”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!