Gjermani, përplasen dy trena në Duisburg, dhjetëra të plagosur

schedule18:08 - 3 Prill, 2018

schedule 18:08 - 3 Prill, 2018

Një numër i lartë personash kanë mbetur të plagosur në qytetin Duisburg, në Gjermani, pasi dy trenë të linjës së metrosë janë përplasur këtë të martë. Një zyrtar i policisë ka deklaruar për agjencinë “Reuters” se trenët ishin përplasur me njëri-tjetrin kur po kalonin në një tunel, por shkaqet janë ende të paqarta. Sipas zyrtarit, të plagosurit janë mbi 20, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:20, me orën lokale, në aksin metropolitan që kalon poshtë lumit Ruhr. Mediat lokale flasin për mbi 30 persona të plagosur në aksident. Një flotë autobusësh u vu në përdorim nga autoritetet vendore për të transportuar pasagjerët dhe për të shmangur bllokimin e trafikut në orën e pikut. Ndonëse shkaqet nuk dihen, agjencitë policore në Gjermani mbeten vigjilente ndaj rrezikut terrorist, pas sulmit të dhjetorit 2016, ku 12 persona mbetën të vrarë nga një sulm me furgon, që vërshoi në tregun e Krishtlindjes në Berlin. /abcnews.al