Gjermani, ministri i Financave kandidon për kryetar të SPD-së

schedule21:00 - 16 Gusht, 2019

schedule 21:00 - 16 Gusht, 2019

Ministri gjerman i Financave, Olaf Sholc ka bërë publik vendimin e tij për të kandiduar për kryetar të Partisë Social Demokrate gjermane. Sholc është politikani i dytë më i mbështetur për t’u bërë kancelar pas largimit të Angela Merkel.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Sholc ka shprehur ambicien e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të Partisë Social Demokrate. Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i tij, sipas të cilit Sholc është i interesuar t’i bashkohet garës për rikthimin e popullaritetit të SPD-së, i cunguar që kur partia bëri koalicion me konservatorët e Angela Merkel. Sipas mediave gjermane, një kurorëzim eventual i Sholc në krye të SPD-së do t’i sillte gjithashtu më shumë stabilitet koalicionit të lëkundur të Merkel, me të cilin bashkoi me ngurrim forcat në vitin 2017.

“Jam gati të garoj nëse ju mbështesni figurën time”, u ka thënë Sholc tre kryetarëve të përkohshëm të Social-Demokratëve, të cilët sipas revistës gjermane “Der Shpigel” nuk i kanë thënë jo ofertës së tij. Sholc është kandidati më i profilit të lartë që i bashkohet garës për kryetar dhe një sondazh i fundit e nxirrte atë si politikanin e dytë favorit për t’u bërë kancelar i ardhshëm.

Popullariteti i tij varet pjesërisht nga vendimi për t’u bazuar në një buxhet të balancuar, një rregull fiskal ky i prezantuar nga paraardhësi Volfgang Shojble 5 vjet më parë dhe i mbështetur nga votuesit gjermanë. Që kur u bashkua me konservatorët e Merkel SPD ka parë t’i përgjysmohet mbështetja në të paktën 12 për qind. Analistët thonë se, votuesit janë të ngopur me një parti që sipas tyre ka humbur rrugën nën lidershipin e kancelares dhe duan që SPD të shkëputet nga aleanca dhe të dalë në opozitë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!