Gjermani-Francë, një duel klasik për Ligën e Kombeve

schedule18:03 - 6 Shtator, 2018

schedule 18:03 - 6 Shtator, 2018

Gjermania ndeshet sot me Francën, në sfidën e parë të Ligës së Kombeve. Një duel klasik, ku francezët vijnë si kampionë të botës, dhe gjermanët pas dështimit në Rusi.

Vëmendje kishte, por rikthimi ishte me kokën ulur. Kombëtarja e Gjermanisë, tashmë e shkurorëzuar, u grumbullua për herë të parë pas dështimit në Botëror, ndërsa afron sfida ndaj Francës në Ligën e Kombëve. Trajneri Joakim Lëv, për të cilin u kërkua shkarkimi pak javë më parë, mendon se gjithsesi, nuk duhet të ketë ndryshime të shumta. Mes lojtarëve të thirrur për Francën, ka vetëm 5 që nuk ishin në Rusi.

“Ne e analizuam atë që ndodhi, – u shpreh ai, – dhe lojtarë me përvojë si Humels, Boateng, Kros e Myler, i duhen kombëtares. Ata nuk luajtën siç duhet në Botëror, por prej shumë vitesh e kanë treguar sesa vlejnë. Mos harroni, ne fituam 10 ndeshje eleminatore para Botërorit”.

Lëv hodhi poshtë mundësinë e rikthimit të Mesut Ozilit, që u tërhoq nga kombëtarja, veçse Gjermaninë e presin probleme të tjera ndaj kampionëve të botës. Një i tillë është Leroi Sane, lojtari ofensiv i Mançester Sitit, i cili u kritikua nga Toni Kros për mentalitetin që po tregon.

“Duket sikur atij nuk i bëhet vonë nëse ne fitojmë apo humbim, – u shpreh mesfushori i Realit, – të paktën, kjo duket nga pamja e tij, dhe kjo duhet të ndryshojë”.

Franca, ndërkaq, ka bërë edhe më pak ndryshime. Kampionët e botës do të kenë thjesht dy portierë të ndryshëm, me kapitenin Joris të dëmtuar. “Gjelat” mbërritën si favoritë në Mynih, siç e pohoi edhe Lëvi. Ata u stërvitën në stadiumin e Bajernit, dhe nuk pritet që ta ndryshojnë stilin e tyre të lojës, me kundërsulmin e rrufeshën që i dha rezultat në Rusi.

“Titulli i fituar në Botëror nuk na bën që t’i fitojmë ndeshjet automatikisht, por gjithsesi na jep besim, – u shpreh trajneri Deshamp, – fizikisht nuk jemi ende aty ku duket, pasi lojtarët e nisën stërvitjen vonë. Sa për Gjermaninë, ajo ishte kampione e botës, dhe ishte favorite në Botëror. Edhe pse dështoi, ka gjithë cilësinë e duhur, dhe ka respektin tonë maksimal”.

Gjermania dhe Franca luajnë sonte, në 20:45, në ndeshjen e parë të nivelit A të Ligës së Kombeve. Gara e re e krijuar nga UEFA ka pamjen e një kampionati me disa nivele, dhe bashkë me gjermanët e francezët, luajnë Italia, Anglia, Spanja, Kroacia, Holanda apo Belgjika./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!