Gjermanët me pushime në Spanjë, ministri i shëndetësisë: Kërcënim real për një valë të dytë

schedule01:43 - 14 Korrik, 2020

schedule 01:43 - 14 Korrik, 2020

Kërcënimi për një valë të dytë infektimesh me COVID-19 është real, paralajmëroi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn duke u kërkuar bashkëatdhetarëve të tij, me pushime në Ishujt Baleare, që të respektojnë distancimin fizik. Jens Spahn në veçanti shprehu shqetësimin e tij për situatën në ishullin spanjoll të Majorkas.

“Imazhet që kemi parë këtë fundjavë në ishullin e preferuar të gjermanëve, Majorka, më shqetësojnë”, deklaroi Spahn në një konferencë shtypi, të organizuar me Institutin Robert Koch.

“Ne duhet të bëjmë shumë kujdes që ishujt Baleares të mos kthehen në një Ischgl të dytë, një stacion skish austriak, që u kthye këtë dimër në një vatër kryesore europiane të kontaminimit me COVID-19”, theksoi ministri.

“Kërcënimi për një valë të dytë është real”, theksoi Spahn, i cili i trembet një rritjeje tjetër të rasteve me COVID-19 në Gjermani me rikthimin e turistëve nga pushimet në Europë.