Gjermanët gjithnjë e më të pakënaqur me sistemin arsimor

schedule09:10 - 1 Shtator, 2023

schedule 09:10 - 1 Shtator, 2023

Sipas një sondazhi, cilësia e arsimit në shkollat ​​gjermane është në rënie drastike. Arsyeja kryesore është mungesa e stafit pedagogjik, por edhe sfidat në rritje me fëmijët që nuk flasin gjermanisht në shtëpi.

Vetëm 27 për qind e të anketuarve i japin sistemit arsimor në Gjermani vlerësimin më të mirë. Në vitin 2014, një vlerësim të tillë jepnin 38 për qind e të anketuarve, të cilët ishin të kënaqur me funksionimin e shkollave në Gjermani. Sipas një sondazhi të bërë nga Instituti gjerman për Ekonomi (IW) i porositur nga Iniciativa për një Ekonomi të Re Sociale të Tregut (INSM), 79 për qind e të anketuarve thonë se sistemi arsimor është përkeqësuar që nga pandemia e virusit korona. “Këto janë shifra alarmante,” thotë eksperti i IW, Ludger Wößmann.

Më shumë para për shkollat ​​e prekura

Sipas të dhënave të të ashtuquajturit “barometri arsimor” i IW, sistemi arsimor është përkeqësuar veçanërisht në segmentet e cilësisë së mësimdhënies, integrimit dhe arsimit të përgjithshëm. “Këto të dhëna tregojnë se ne kemi nevoja shumë të mëdha për një kthesë drastike kur bëhet fjalë për politikën e shkollimit”,  tha Ministrja e Arsimit, Bettina Stark-Watzinger.

Ajo premtoi “mbështetje të fortë” për landet e Gjermanisë, sepse politika arsimore është kompetencë e landeve. Planet e qeverisë federale përfshijnë edhe shpalljen e rreth 4.000 shkollave me një përqindje të lartë nxënësish të neglizhuar nga shoqëria si “Shkollat ​​me shanse fillestare”, ku vëmendje e veçantë do të t’i kushtohet njohurive bazë, si leximi, shkrimi dhe matematika.

“Qeveria federale dhe qeveritë e landeve duhet të punojnë së bashku për të rritur shanset për një shkollim dhe përgatitje sa më të mirë për jetë, pavarësisht prejardhjes sociale të nxënësve dhe studentëve”, tha Stark-Watzinger.

Nuk ka përgjigje për sfidat që sjell emigracioni

Sipas studimit, problemi më i madh për rënien e cilësisë së arsimit është mungesa e stafit pedagogjik dhe shumë pak para për arsimin. Instituti për Ekonominë (IW) beson se sistemi arsimor gjerman nuk është gati as për sfidat që sjell emigracioni. “Kopshtet dhe shkollat ​​nuk kanë gjetur ende përgjigje adekuate për ndryshimin e popullatës dhe për faktin se shkollat ​​gjermane janë bërë më heterogjene vitet e fundit, sepse një numër në rritje i nxënësve nuk flasin gjermanisht në shtëpi dhe rriten në familje ku praktikisht nuk ka libra”, tha Axel Plünnecke nga IW.

Rezultati është se niveli i njohurive ka rënë veçanërisht tek fëmijët e familjeve migrante apo familjeve ku prindërit nuk kanë arsim të lartë. Ekspertët e IW kërkojnë futjen e detyrimit të arsimit parashkollor për të gjithë fëmijët që nuk flasin mirë gjermanisht, ose flasin shumë pak këtë gjuhë. Unioni kristiandemokrat (CDU) kërkon vendosjen e gjobave për prindërit që nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte për të mësuar gjermanisht.

Sipas studimit, arsimi më i mirë ofrohet në shkollat ​​në Bavari, Saksoni dhe Tyringji, ndërsa më i keqi në Berlin, Brandenburg dhe Bremen./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!