“Gjermanët dolën të shokuar, s’e prisnin”, Rama: Më 30 prill s’ka sportele, s’do hapen më për asnjë arsye

schedule12:07 - 27 Prill, 2022

schedule 12:07 - 27 Prill, 2022

Ditën e sotme po mbahet aktiviteti informues i mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimi i tyre online me qëllim përmirësimin e shërbimit të administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit. Kryeministri Rama thotë se në datën 1 Maj do të nisë një epokë e re e shërbimeve pa sportele, duke shmangur sipas tij radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit.

Një nga sukseset për të cilën kryeministri thotë se është ndierë krenar është njohja e patentave shqiptare në Gjermani, që sipas tij lidhet sigurisht me konvertimin e shërbimit online.

“Ishte e paimagjinueshme që Gjermania të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë të cilat buronin nga një proces i pa gjurmueshëm. Ka pasur leje drejtimi që janë dhënë në mënyrë të parregullt, kjo e bënte të pamundur që Gjermania të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë. Mua më kujtohet kur e kam ngritur këtë çështje për herë të parë që ishte kërkesë insistuese atyre shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Rreshti i palës gjermane i rrudh në fytyrë sepse ishte kërkesë e pakonceptueshme për to se si mund Shqipëria të ishte e barabartë në këtë. Ka qenë krenaria ime kur inspektimi i Gjermanëve ishte pozitiv. Gjermanët dolën të shokuar sepse nuk e prisnin atë realitet të transformuar rrënjësisht. Vetëm përmes digjitalizimit është realizuar”.

Lexo edhe: “Lamë pas vendet e zhvilluara”, Rama: Famëkeqja hipotekë në dorë, godinat do humbasin kuptimin

Ai tha se procesi do të jetë i vështirë në fillim, por më pas, gjithçka do të shkojë mirë. Megjithatë theksoi se sportelet nuk do të hapen më për asnjë arsye.

“Më 30 prill s’ka më sportele në Shqipëri. Kjo do funksionojë edhe pse në fillim mund të ketë shqetësime e ngërçe. Sportelet nuk hapen më për asnjë arsye. Kemi realizuar atë për të cilën jemi zotuar prej disa vitesh që shtetin do ta fusim në xhepin e qytetarit. Te e-albania do kërkojë shërbimin e radhës. Duke kursyer xhepat dhe nervat“.

Duke theksuar të gjitha ndryshimet pozitive që sjell kalimi online i shërbimeve, kryeministri theksoi se të gjithë ata që punojnë në sportele nuk do të hiqen nga puna, por do të bëjnë një tjetër punë.

“Ky është një ndryshim kolosal. Shqipëria ka shkuar në vendin e 17 për shërbimet digjitale dhe pas nesh janë vende shumë më të zhvilluara se ne. Jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një shtytje larg korrupsionit në shërbim, bakshishit dhe ryshfetit. Nuk do iki njeri nga puna, por do bëjnë punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje të qytetarëve, do merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve. Nëse për të marrë një dokument x, duhen edhe 5 dokumente të tjera që deri dje ishte i detyruar t’i merrte qytetari, pas datës 1 maj të gjitha do garantohen nga sistemi. Çdo kush që sot punon në sportel nuk do ketë më përballë qytetarët, pro kompjuterin dhe qytetarët do jenë aty vetëm në formën e aplikimeve. Qytetari do e marrë përgjigjen po online“, tha Rama.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!