“Gjërat Tona”/ “Thesi” i padeklaruar i parave për lobimet e LSI

schedule20:42 - 10 Nëntor, 2024

schedule 20:42 - 10 Nëntor, 2024

“Thellësisht i korruptuar”… Kështu citonte gazeta austriake “Kronen Zeitung”, dëshminë e një detektivi që ishte strehuar në Vjenë nga ku kërkonte mbrojtje për shkak të kërcënimeve. Një artikull i datës 16 maj 2022 i kësaj gazete, duket se ishte shkëndija e parë për nisjen e hetimeve nga SPAK ndaj ish-presidentit Ilir Meta, për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Fiks një muaj pas publikimit të këtij shkrimi në Austri, ishte ish-deputeti Halit Valteri që denoncoi në Prokurorinë e Posaçme për mosdeklarim të shumave të konsiderueshme të parave në lidhje me firmosjen e kontratave të lobimit me kompani të ndryshme në SHBA.

Përveç rrëfimit të “dëshmitarit” që pretendohej se ishte kërcënuar, por që nuk u mësua asnjëherë se kush ishte, gazeta austriake publikonte edhe fakte të rënda në lidhje me financimin e lobimit që Meta kishte bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa kishte ngritur pikëpyetje për vizitën e Metës në Uashington dhe burimin e financimit të këtyre parave.

“Dëshmitari kryesor kërkon mbrojtje në Vjenë, thriller për presidentin”. Ky ishte titulli i shkrimit në gazetën austriake, që më pas shkruante se një detektiv, i cili u fsheh në Austri për shkak të kërcënimeve me vdekje, kishte rënduar pozitat e kreut të shtetit të Shqipërisë. Denoncuesi iku në Austri për shkak të akuzave dhe frikës së një atentati. Aty ku tani duhej të kishte marrë statusin e mbrojtjes.

Gazeta austriake

Ajo që tregon denoncuesi në prani të avokatëve të njohur vjenezë ju bën të uleni dhe të vini re. Provat mund të tronditin peizazhin politik të Shqipërisë dhe të rrëzojnë askënd tjetër veç presidentit. Ilir Meta ka mbajtur jo pak poste në karrierën e tij. Ai themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilën e drejtoi deri në vitin 2017. Ai ka qenë kryetar i Parlamentit për disa vite dhe është President i Republikës që nga viti 2017. Që nga ajo kohë erdhën flukse parash që dëshmitari kryesor i përshkroi si “thellësisht të korruptuara”.

Sipas medias austriake, ishte e paqartë se kush e ka paguar udhëtimin e Ilir Metës në Uashington.

Gazeta austriake

Më 20 janar 2017, Meta ndau një foto të tij në inaugurimin e Donald Trump përballë Kapitolit në Uashington. Për të fituar akses në inaugurimin dhe zyrtarët republikanë, ata thuhet se lobuan me zell përmes një kompanie guaskë qipriote. Kostoja: 700 000 dollarë. Deri më sot, është e paqartë se kush e ka paguar në të vërtetë. Vetë Meta pretendon se është ftuar nga republikanët. Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700000 nga një avokat i afërt me Metën kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited.

Pak javë para inaugurimit është lidhur një kontratë mes palës së LSI-së dhe avokates, e cila parashikon pjesëmarrjen në inaugurim. Menjëherë pas kësaj, Meta u bë edhe president.  Duke qenë se lobimi me pagesë është i vështirë për t’u shitur në pozicionin e tij, kontrata u ndërpre. Vetëm për të lidhur menjëherë një kontratë të re për “Dorelita Limited”, e cila nuk ka asnjë aktivitet biznesi. Në listën e tyre të dyshimtë të shpenzimeve janë llogaritur 50 mijë euro në muaj për takime me senatorë amerikanë, darkë, udhëtime, etj.

Menjëherë pas këtij artikulli, Ilir Meta doli në konferencë për shtyp nga oborri i Presidencës, duke e konsideruar dëshmitarin në Vjenë, si person që është në kërkim të letrave për të kërkuar azil dhe paralajmëronte një padi në Austri.

Meta premtoi se shumë shpejt “të gjithë shqiptarët do të mësonin të vërtetën” dhe fliste me bindje se do të fitonte gjyqin në padinë që tha se do të ngrinte ndaj medias austriake në Austri.

Por, prej asaj kohe, Meta nuk ka folur më nëse e ka bërë padinë, apo jo. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe SPAK nisi të lëvizë në lidhje me dy kallëzimet e ngritura nga Halit Valteri për paratë e lobimit në SHBA.

Në dhjetor të vitit 2023 ishte vetë kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, që në një takim informal me gazetarët konfirmoi se ishin duke u kryer veprime hetimore ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Në atë kohë SPAK, por edhe hetuesit e BKH kishin zhvilluar kontrolle dhe kishin sekuestruar sende e dokumente, për të cilat ka qenë Monika Kryemadhi që ka kundershtuar këtë sekuestro në Gjykatën e Posaçme, por pretendimi i saj ishte rrëzuar. Mes sendeve të sekuestruara ishte edhe celulari i Monika Kryemadhit, që në fakt shërbeu si një provë mjaft e rendësishme për grupin hetimor, ashtu sikurse rezultoi në dosjen e SPAK, pas arrestimit të Metës më 21 tetor 2024.

HETIMI PËR LOBIMIN NË SHBA

Më 10 qershor të vitit 2022, ishte ish-deputeti Halit Valteri që paditi Metën në SPAK, me pretendimin se në kohën që drejtonte partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, kishte firmosur kontrata lobimi me kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, disa prej të cilave nuk janë deklaruar.

Nga verifikimi i të gjithë dokumentacionit, rezultonte se Lëvizja Socialiste për Integrim ishte treguar e pakursyer për kompaninë e saj lobuese në Uashington. Megjithatë shumica e shpenzimeve nuk ishin raportuar në KQZ, duke ngritur hije dyshimi mbi burimin e parave.

Sipas të dhënave të faqes zyrtare të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, F.A.R.A (Foreign Agents Registration Act), gjatë vitit 2016, LSI ka bërë pagesa në vlerë 267 804 dollarë për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, G.S.I.S.

G.S.I.S është një kompani konsulence me qendër në Uashington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish-zyrtarë të lartë amerikanë. Ajo është një nga dy kompanitë lobuese të angazhuara në Uashington nga LSI, të paktën deri në vitin 2016.

Pagesat përfshinin tarifën mujore fikse prej 30 000 dollarësh për kompaninë amerikane, si dhe rimbursim të shpenzimeve, që ajo kishte bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane. Shumat e paguara për G.S.I.S i kanë siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Uashington. Megjithatë, LSI ka dështuar t’i raportojë të gjitha shpenzimet e kryera për llogari të kompanisë amerikane në raportin vjetor financiar të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ për vitin 2016, çka ngrinte dyshime për origjinën e parave.

Pasqyrat financiare tregonin se shpenzimet e raportuara nga LSI në KQZ nën zërin konsulenca për vitin 2016, janë tri herë më të vogla se pagesat që ajo ka bërë për GSIS. Por përveç kontratës me GSIS, që ka vazhduar edhe në vitin 2017, LSI ka kontraktuar në janar të po atij viti edhe kompaninë e lobimit McKeon Group, për t’i siguruar liderit të saj, Ilir Meta një ftesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump. Në dy dokumente të depozituar në Departamentin të Drejtësisë në SHBA, G.S.I.S ka nënvizuar se gjatë vitit 2016 e ka këshilluar LSI-në në lidhje me marrëdhënien e saj me qeverinë amerikane dhe liderët politikë të saj, ndërkohë që Shqipëria bënte progres me reformën kushtetuese si dhe modernizimin e ekonomisë.

Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së, Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti në SHBA. Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që G.S.I.S e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij nga 11 deri në 16 maj në Uashington, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor. Gjithashtu, kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik. Kjo kompani i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit. Me asistencën e saj, Meta është takuar më 11 maj me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan dhe Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

Gjatë të njëjtës ditë në Uashington, kompania e tij lobuese i ka siguruar kryetarit te LSI-së një takim me kreun e Nënkomisionit për Bujqësinë në Kongresin Amerikan dhe me Administratorin e Shërbimit të Jashtëm në Departamentin e Bujqësisë.  E po me ndihmën e kësaj kompanie Meta ka drekuar dhe ka mbajtur një fjalim përpara anëtarëve të Qendrës Truman për Politika Kombëtare si dhe është takuar me Asistent Prokurorin e Përgjithshëm.

Vizita e Metës në SHBA ka vazhduar me një ndalesë ne fondacionin “Heritage” dhe më vonë takime me kongresmenin John Katko. Në të njëjtën ditë, ai është takuar me zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Meta e ka finalizuar vizitën e tij në SHBA më 16 maj, me një takim me senatorin John Cornyn dhe një fjalim në Institutin për Politika Progresive, që po ashtu janë siguruar nga kompania e tij e lobimit G.S.I.S.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta është rikthyer në Uashington për një vizitë të dytë në datat 6-8 qershor, ku takimet e tij me zyrtarët amerikanë janë ndërmjetësuar përsëri nga GSIS. Në fund të vizitës së tij të dytë në Uashington brenda një periudhe 1 mujore, Meta ka marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët në universitetin “George Washington”.

Asistenca e kompanisë amerikane ndaj LSI-së ka vazhduar edhe në fillim të vitit 2017, gjatë vizitës së liderit të LSI-së Meta në Uashington me rastin e inagurimit të Presidentit Donald Trump.  Nga Janari 2016 deri me 31 Janar 2017, LSI i ka paguar G.S.I.S – së 297 804 dollarë në total në formë tarife mujore dhe rimbursim të shpenzimeve të kompanisë amerikane.

Por ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar të dorëzuar në KQZ, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë në vlerën 11.7 milionë lekëve (91 mijë dollarë), afërsisht tri herë më pak se shpenzimet reale që ajo ka pasur.

Përveç pagesave për G.S.I.S, në Janar 2017 LSI ka paguar dhe kompaninë e lobimit McKeon Group me 15 mijë dollarë. McKeon Group është një kompani lobimi me qendër në Uashingtn D.C, e udhëhequr nga ish kongresmeni i Partisë Republikane Howard McKeon. Pas pjesëmarrjes së Metës në inaugurimin e Presidentit Trump, kontrata me McKeon Group është ndërprere më 13 Shkurt 2017, me shënimin se qëllimi i saj “ishte përmbushur”.

KOMPANIA MISTERIOZE GUASKE

Jehona e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta i kaloi kufinjtë shqiptar, duke u shtrirë edhe në rajon e më gjerë. Gazeta greke “Documento”, ka publikuar marrëveshjet sekrete nga lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është edhe një prej aferave që prangosi Metën. Në reagimin e tij nga burgu, ish-presidenti mohoi akuzat e ngritura nga SPAK për lobimin e LSI-së në SHBA. Ndërsa pretendoi se nuk kishte autorizuar veprime të paligjshme. Nga ana tjetër theksonte se kontratat ishin bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane. Sipas Metës kompania “McKeon Group” e ka nënshkruar kontratën me një avokat greko-amerikan Iraklis Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin e tij apo të LSI-së. Por sipas gazetës greke “Documento”, Ilir Meta synonte të takonte presidentin amerikan me financim përmes Athinës.

Sipas gazetës greke, “Dorelita Limited” është në fakt një korporatë false me një qëllim: të paguajë McKeon për shërbimet e lobimit për përfitimin e LSI. Ajo u themelua në vitin 2013 në Qipro nga avokati grek Andreas Petrou. Siç raportoi Mother Jones, kompania tha se rreth një e treta e klientëve të saj janë rusë. Sipas të dhënave ruse dhe qipriote, “Dorelita Limited” ishte përfshirë me kompani me bazë në Qipro. Sigurisht që ndër vite si administratorë shfaqen persona të ndryshëm që janë ricikluar. Më 22 shkurt 2017, Dorelita iu shit Iakovos Taliadoro , drejtor menaxhues i një firme kontabiliteti me qendër në Nikosia, për 1000 euro. Menjëherë pas tij, drejtor i saj u emërua Fidetzis.

Megjithatë, siç thekson gazeta greke, në kontratat e nënshkruara nga Dorelita me kompaninë lobuese McKeon, zyra kryesore e kompanisë qipriote është në Athinë, konkretisht në rrugën Patriarchou Ioakeim. Në fakt, në këtë adresë ndodhet studioja ligjore Papaconstantinou & Associates, në të cilën Fidetzis është konsulent dhe e specializuar për çështje financiare dhe investime. Deri më sot, shërbimet elektronike të Qipros menaxhohen nga Fidetzis.

Gazeta greke

Për sa i përket partneritetit të Dorelitës me firmën lobuese, besohet se ka zgjatur deri në dhjetor 2017 bazuar në raportin e Mother Jones. Duket e pamundur që Fidezis, i cili nuk kishte interesa të dukshme shqiptare, ta kishte financuar vetë këtë fushatë lobimi të artë të Dorelitës dhe të mos funksiononte në dobi të Metës. Në fund të fundit, qëllimi i një kompanie guaskë është të fshehë me mjeshtëri interesat e vërteta pas saj. Sido që të jetë, Fidetzis ia arriti qëllimit. E bëri Metën më të dukshëm dhe më të besueshëm, duke dëshmuar në mënyrën më karakteristike se politika përcaktohet kryesisht nga… paratë e mëdha.

ZHDUKJA E BURIMIT PER LOBIME

Lobimi, një mjet i vënë në duart e grupeve të interesit për të ndikuar në politikë bërje dhe që e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga koha kur biznesmenë por jo vetëm në lobin e një hoteli pranë Shtëpisë së Bardhë takonin presidentin për të shtyrë para projekte të tyre, duket se i ka krijuar problemin më të madh ish-presidentit Ilir Meta.

Ai dyshohet nga SPAK se nuk ka deklaruar fatura të majme lobimi në SHBA dhe se pagesat i ka kamufluar përmes kompanive offshore dhe miqve të tij, duke pastruar kështu para dhe fshehur origjinën e tyre.

Hetimi për lobimin u shtri në kalimin në sitë nga ana e SPAK të 3 kontratave të lidhura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në atë kohë e drejtuar nga Ilir Meta.

E para ajo me kompaninë GSIS, në fuqi nga janari 2016 deri në dhjetor 2017, tregoi se realisht LSI, kishte paguar mbi 463 mijë dollarë për takime dhe njohje me anëtarë të qeverisë amerikane, por në të vërtetë kishte paguar nga llogaria e saj 93 mijë dollarë dhe po kaq kishte deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

DOSJA E SPAK

Nga krahasimi i të dhënave lidhur me shpenzimet e kryera nga Lëvizja Socialiste për Integrim për qëllime konsulence dhe lobimi të administruara në tre burime: Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe bankave të nivelit të dytë, rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim në periudhën janar 2016-dhjetor 2017, i ka paguar kompanisë GSIS LLC për qëllime konsulence dhe lobimi 463 546 dollarë dhe ka deklaruar shpenzime për kosulencë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe i ka paraqitur grupit të hetimit vetëm tri fatura të paguara në shumën 93 761 dollarë. Diferenca prej 369 785 dollarë është paguar nga një entitet i padeklaruar nga LSI.

Në korrespondencën që SPAK ka kryer me autoritetet amerikane dhe që e sqaron për gjyqtarin e hetimit paraprak, burimi i kësaj shume është edhe për ta i pa identifikueshëm.

Adrian Shatku, shfaqet sërish. Biznesmeni amerikan, i cili në komunikimet e gjetura në një telefon të Monika Kryemadhit, sekuestruar në banesën e nënës së saj, krijon idenë e një lidhje të ngushtë të çiftit Meta-Kryemadhi, rezulton të  ketë paguar dhe lëvizur gurë për të krijuar lidhje që ai i konsideron të rëndësishme për ta.

Në cilësinë e një miku-këshilltari dhe bashkëpunëtori, Shatku rezulton të ketë paguar shërbime të tjera për personat që kanë ardhur në Shqipëri si rezultat i marrëveshjeve të lobimit të lidhura mes LSI dhe kompanisë amerikane GSIS.

DOSJA E SPAK

Adrian Shatku dhe kompania UNIFI Communication Inc kanë kryer pagesa në shumën 253 285 lekë për llogari të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim me qëllim mbulimin e shpenzimeve që lidhen me ekzekutimin e kontratës së këshillimit që LSI kishte lidhur me kompaninë Global & Innovative Strategies LLC.

Këto pagesa lidhen me faturat e qëndrimit në një hotel në qendër të Tiranës, për 3 personaliteteve që vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri për takime me përfaqësues të LSI të organizuara nga kompania lobuese.

PAGESA NGA NJE KOMPANI OFFSHORE

Në janar të 2017-ës, edhe pse e lidhur me një kompani tjetër lobimi që zgjaste deri në fund të të njëjtit vit, Lëvizja Socialiste për Integrim, lidh një tjetër kontratë me kompaninë MCkeon Group inc.

Kjo kontratë ishte 6-mujore dhe pagesa ishte 15 mijë dollarë në muaj. SPAK thotë se pas një muaji nga lidhja e kësaj kontrate, ajo është ndërprerë në shkurt, por pavarësisht kësaj, në dy muaj të tjera, Ilir Meta dhe LSI kanë marrë shërbime pasi për llogari të tyre është lidhur një kontratë me kompaninë Dorelita Limited.

DOSJA E SPAK

Dorelita Limited ka angazhuar Grupin McKeon, për të kryer aktivitete politike në emër të Ilir Metës dhe se aktivitetet lobuese te Grupit McKeon të zhvilluara në muajin Prill 2017, u kryen në mbështetje të Ilir Metës. Grupi McKeon ka sqaruar në deklaratën me shkrim se në 14 Shkurt 2017, kishte ndërprerë regjistrimin e tij në FARA në emër të LSI-së dhe Ilir Metës. Në datën 24 Mars 2017, Dorelita Limitet kishte angazhuar Grupin McKeon për të kryer aktivitete politike në emër të klientit të saj Ilir Meta, anëtar i LSI-së. Nisur nga fakti se kontrata midis Dorelita Limited dhe Grupit McKeon ka zgjatur dy muaj dhe tarifa mujore e përcaktuar në kontratë ishte 50 mijë USD, arrihet në konkluzionin se Dorelita Limited ka paguar 100 mije USD, rrjedhimisht Ilir Meta ka paguar 100 mijë USD, para të cilat nuk janë deklaruar nga Ilir Meta ne Deklaratën e Interesave Private Vjetore të vitit 2017, dhe nuk janë pasqyruar në pasqyrat financiare që partia LSI ka depozituar në KQZ.

MIQTË QË NDIHMUAN LSI-NË

Miku i mirë duket në ditë të vështira dhe duket se ish-presidenti dhe ish -bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi kanë ditur të zgjedhin miqtë.  Edhe për një tjetër kontratë lobimi e lidhur nga LSI me kompaninë JPM Strategic Solution, SPAK thotë se janë paguar para nga njerëz të lidhur me ta, si Ardian Shatku dhe shtetasja Ema Çoku, kjo e fundit e marr nën hetim.

Hetimi i kryer, ka treguar se LSI ka deklaruar pagesa për këtë kompani gjatë vitit 2017 dhe 2019, ndërkohë që prej vitit 2016, ajo që ka pagesa të rregullta ndaj kompanisë së lobimit është kompania e Ardian Shatkut.

Më herët se viti 2013, rezulton se edhe Ema Çoku nëpërmjet kompanisë së saj B.S.K SHPK ka bërë pagesa që sipas SPAK janë bërë prej saj për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe që lidhen me çështjet e lobimit.

Lidhjet, grupi i hetimit i bën edhe nga të dhënat që kanë rezultuar nga komunikimet që Monika Kryemadhi ka me shtetasin Ardian Shatku, ku në njëri prej tyre flitet për ardhjen në Shqipëri të shtetasit John Moreira, drejtuesi i kompanisë së lobimit JPM Strateguic Solution.

Mesazhi i Arian Shatkut për Monika Kryemadhin: E kisha John në Tiranë jo vetëm për të prezantuar sesionin e strategjisë që është shumë kritike për ju dhe IM pasi tregon vizionin, punën ekipore dhe metrikat për ta matur atë. Ai do të inkurajojë të gjithë ministrat dhe drejtorët që të punojnë së bashku nën një vizion të IM. Ju lutemi bëjeni të ndodhë që John të mund të qëndrojë edhe një ditë ose dy.

Duke grumbulluar të dhëna nga sistemi TIMS, por edhe komunikimet e Monika Kryemadhit me Eriol Brahimllarin, hetuesit thonë se kanë konfirmuar që Moreira ka shërbyer për LSI që prej vitit 2015.

DOSJA E SPAK

Moreira ka kryer aktivitet për llogari të LSI-së edhe në vitin 2015 dhe kohë kur është shoqëruar nga Eriol Brahimllari (në datën 22 Tetor 2015, ora 10.24, me automjetin me targa AA164BX). Nga ana e organit procedues është dokumentuar se për vitin 2013 dhe 2015, John Moreira është shoqëruar nga një funksionar i LSI-së, rezervimi i qëndrimit në Hotel Rogner për periudhën 2014-2017 është kryer në emër kompanisë Unifi Comunication INC dhe një pjesë e shpenzimeve për vitin 2015 dhe 2016 janë paguar nga Adrian Shatku.

Por miku i mirë i LSI-së nuk është vetëm biznesmeni Shatku, por edhe Ema Çoku. Kjo e fundit përveç një pagese për kompaninë JPM Stragic Solution, prej 12 mijë dollarësh, rezulton të ketë paguar edhe aktivitet për partinë dhe dhënë hua dhe shuma parash familjes Kryemadhi.

DOSJA E SPAK

Ema Çoku është lidhje e afërt familjare me shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Kjo shtetase nëpërmjet punonjëses së saj, Vera Bazi, ka paguar në vitin 2013, për aktivitet argëtues të LRI-së, shumën 4 103 605 lekë, ka paguar në vitin 2013 me derdhje cash në bankë për llogari të Hotel R., ka bërë donacione në vlerën 7 000 Euro. Kompania B.S.K shpk e Ema Çokut, ka paguar në vitin 2013, shpenzimet e akomodimit në Hotel Rogner për shtatë shtetas të huaj midis të cilëve edhe John Moreira dhe Patrick Faust, shumën 1 142 000 lekë. Janë dokumentuar edhe pagesat e kryera nga shtetasja Vera Bazi, (e punësuar pranë kompanisë B.S.K shpk) për llogari të Lëvizjes Rinore për Integrim. Në datën 30 prill 2013 ka derdhur cash ne llogarinë e Hotel Rogner, shumën 10 000 Euro për shërbimin “ushqim dhe pije, banket i LRI-së”. Gjithashtu, Vera Bazi në datën 11 qershor 2014 ka derdhur cash në një bankë shumën 300 000 lekë për shërbimin “event i organizuar ne datën 10 qershor 2013 nga LRI” dhe në datën 25 shtator 2014, ka derdhur cash shumën 363 910 lekë për shërbimin “event i organizuar ne datën 10 qershor 2013 nga LRI”.

SI I PASTRUAN PARATE META E KRYEMADHI

Në mes të muajit gusht të këtij viti, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Procedimi penal ishte regjistruar që në qershor 2022, pas kallëzimit të referuar nga ish-deputeti Halit Valteri. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA.

Në fillim të muajit korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar një tjetër kallëzim penal të ish-deputetit Halit Valteri. Pjesë e kallëzimit të dytë penal janë Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri. Në kallëzimin penal thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron si zakonisht çifti Meta-Kryemadhi. Në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara, si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie, përfshirë edhe godinën e LSI-së. Procedimi penale është regjistruar për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.

DOSJA E SPAK

Nëpërmjet nënshkrimit të kontratave të lobimit, marrjes së shërbimeve nga këto kontrata dhe financimit me shuma të konsiderueshme parash nga burime të pajustifikuara, të transferuara në bankat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga llogari të padeklaruara prej tij dhe mosdeklarimi i shpenzimeve sipas ligjit në KQZ, krijohet dyshimi i arsyeshëm se Ilir Meta ka konsumuar elementë të figurës së veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, e kryer në këtë mënyrë më shumë se një herë, në dy rrethana cilësuese të kryerjes së saj, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

VENDIMI I PRITSHEM PER SEKUESTRO  

Më 4 korrik 2022 u nënshkrua dhe hyri në fuqi marrëveshja e punës ndërmjet Prokurorisë Publike Evropiane dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, më 29 qershor 2023, u nënshkrua dhe hyri në fuqi edhe një marrëveshje ndërmjet Prokurorisë Evropiane dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Këto marrëveshje synojnë të lehtësojnë bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale dhe shkëmbimin e informacionit strategjik ndërmjet palëve, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Prokuroria Publike Evropiane bashkëpunon me vende të treta dhe sipas raportit të parë vjetor, vende të treta janë përfshirë në 45 raste të veprimtarisë së saj, një prej tyre ishte edhe Shqipëria. Për mbledhjen e provave ose ekstradimin e personave të kërkuar, si dhe për forma të tjera të bashkëpunimit gjyqësor, palët zbatojnë instrumentet përkatëse shumëpalëshe për bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: Konventën Evropiane për Ndihmë të Ndërsjellë në Çështjet Penale dhe Protokollet e saj shtesë, Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transnacional dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.

Kjo marrëveshje parashikon forma të bashkëpunimit operacional për: mbledhjen e provave, ngrirjen e aseteve, ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe ekstradimin, si dhe format e bashkëpunimit strategjik dhe çështjet institucionale, si shkëmbimi i informacionit strategjik, emërimi i oficerëve ndërlidhës në Prokurorinë Publike Evropiane, transferimi i të dhënave personale, siguria e të dhënave, etj.

E duket se kjo marrëveshje do të gjej zbatim edhe në rastin e hetimit për korrupsion e pastrim parash të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi. Një vendim për sekuestro të pasurive tashmë është i pritshëm dhe mund të formalizohet shumë shpejt. Të paktën për pronat brenda territorit të Shqipërisë. Ndërsa sa u përket pronave të mundshme jashtë vendit, po verifikohen me anë të letër-porosive dhe pikave të kontaktit në zbatim të marrëveshjes me Prokurorinë Publike Evropiane, e formalizuar nga SPAK që prej qershorit të vitit 2023.

SA VITE BURG RREZIKON ILIR META

Ilir Meta tashmë ndodhet në paraburgim, në zbatim të masës së sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për tri vepra penale:

  1. “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, nga të cilat dy raste është kryer në bashkëpunim.
  2. “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
  3. “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Në lidhje me personin nën hetim Ilir Meta, Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal ndaj tij, duhen mbajtur në konsideratë këto kritere dhe rrethana: Gjendja ekonomike, shoqërore e familjare e tij, rrezikshmëria shoqërore e veprave penale për të cilat dyshohet duke u nisur nga masa e dënimit që parashikon secila prej tyre, mënyra e kryerjes së secilës prej tyre, rrezikshmëria shoqërore e autorit, faktin që personi nën hetim dyshohet se është përsëritës specifik në veprën penale të “Korrupsionit”, si dhe përbërjen e gjendjes së tij familjare. Gjykata vlerëson se të gjitha këto rrethana  bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit, caktimin ndaj personit nën hetim Ilir Meta, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga Neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi i Gjykatës

Në vlerësimin e Gjykatës, kjo masë sigurimi personal është masa më e përshtatshme në raport me rëndësinë e fakteve të kryera nga personi në hetim Ilir Meta, si dhe masën e dënimit që parashikohet nga Neni 260 i Kodit Penal, nga 4 deri në 12 vjet burgim, me masën e dënimit të parashikuar nga Neni 287 i Kodit Penal, nga 7 deri në 15 vjet burgim, me masën e dënimit të parashikuar nga Neni 257/a/2 i Kodit Penal, deri në 3 vite burgim në maksimum, si dhe faktin se secili episod konsiderohet si vepër më vete. Masa e sigurimit “Arrest në burg” është e përshtatshme në raport me rëndësinë e faktit. Gjithashtu, Gjykata konstaton se nuk ekziston asnjë nga rastet e parashikuara nga neni 230/2 i Kodit të Procedurës Penale për ndalimin ligjor të vendosjes së një mase të tillë nga Gjykata. Për të gjitha që u analizuan, Gjykata çmon se duhet të pranohet kërkesa e organit të akuzës për caktimin e masës “Arrest në burg”.

Ndërsa në arsyetimin për caktimin e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Monika Kryemadhit, e dyshuar për të njëjtat akuza ashtu sikurse Ilir meta, Gjykata ka marrë në konsideratë faktin  se gjatë hetimit ka rezultuar e dokumentuar se i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore.

Nisur nga çfarë arsyeton Gjykata, të paktën deri në këtë fazë të hetimeve, ish-presidenti Ilir Meta, rrezikon dënimin në maksimumi 15 vjet heqje lirie. Se çfarë do të ndodhë më tej, kjo mbetet për t’u parë gjatë fazës kur çështja të kalojë në gjykim.

Përmes avokatit të tij, paraditen e 4 nëntorit, Ilir Meta ka ankimuar në Gjykatë e Posaçme të Apelit masën e “Arrestit në burg”. Avokati i tij, Genc Gjokutaj, pretendoi se SPAK nuk ka asnjë provë që të implikojë Metën dhe nga ana tjetër arrestimi ish-presidentit është i paligjshëm duke paralajmëruar edhe kallëzim penal për efektivët që prangosën ish-presidentin pranë mbikalimit të Kamzës. Në të njëjtën ditë edhe deputetja Monika Kryemadhi kërkoi që të rrëzohet masa detyrim paraqitje që iu caktua. Pasi dorëzoi ankimin Kryemadhi deklaroi se do të përballet me të gjitha akuzat që i cilësoi të pa vërteta.

Pas Monika Kryemadhit u paraqiten edhe ish-kreu u AKEP, Pirro Xhixho që po hetohet në gjendje të lirë për korrupsion dhe po ashtu u paraqit edhe Ema Çoku që është e dyshuar për pastrim parash.

E duket se beteja e Ilir Metës me drejtësinë tashmë është e zhvendosur në hapësirën mes burgut 313 dhe sallës së gjyqit, që në fakt janë shumë pranë.

Ilir Meta, 9 shkurt 2022: Jam Ilir Meta o super budallenj…

E ndonëse dy vjet më parë, me këtë frazë të kopjuar nga Sali Berisha, ai nisi një betejë duke paralajmëruar padinë ndaj Parlamentit për një dokument që e pretendonte të falsifikuar, sot betejën reale e ka në Gjykatën e Posaçme. Aty ku përballë do ketë 3 prokurorë, mes të cilëve edhe Altin Dumanin, që e sulmoi në liri, por nuk hezitoi ta sulmonte edhe në sallën e gjyqit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!