Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

“Gjërat Tona”/ Altin Ndoci, arratisja që tronditi sistemin

schedule21:01 - 18 Janar, 2026

schedule 21:01 - 18 Janar, 2026

 Që në momentin kur një personi i vendosen prangat dhe izolohet në burg, mendimi i tij i vetëm është liria. E në kushtet kur qëndron i izoluar për një kohë të gjatë, hetimi zgjatet dhe nuk merret një vendim, kur rrezikon shumë vite burg, apo qoftë edhe kur nuk ka besim te drejtësia e pretendon se është i pafajshëm, sërish mendon lirinë.

E mendon në çdo formë, duke marrë parasysh çdo risk. Thur plane arratisje që edhe në rast se dështojnë, i tenton sërish. Disa nuk i realizojnë dot, por ndodh që në një moment arratisja realizohet.

Me bashkëpunim apo për neglizhence, kjo i mbetet në dorë hetimit. Por fakti i vetëm është vetë ngjarja. Arratisja. Më 13 janar 2026, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare zhduket nga duart e shtetit.



Jo nga burgu, jo nga një operacion special, por nga një spital publik në Durrës, nën shoqërimin e policisë së burgjeve. Altin Ndoci, 38 vjeç, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar si vrasës me pagesë, arratiset në mes të ditës, pa pranga, pa pengesa dhe me dyer të hapura.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, Altin Ndoci shfaqet duke mbërritur në Spitalin Infektiv të Durrësit me ambulancë. Me të janë 5 punonjës të Policisë së Burgjeve, por vetëm 2 e shoqërojnë brenda. Pa pranga, pa asnjë masë shtesë sigurie.

Në katin e tretë, teksa pret vizitën mjekësore për një problem renal, ai u kërkon dy efektivëve ta shoqërojnë në tualet. Në atë moment, godet njërin prej tyre me grusht. Vrapon drejt shkallëve, zbret me shpejtësi dhe del nga dera kryesore e spitalit.

Vetëm 50 metra më tej, jashtë parkimit, e pret një Audi A7.  Një prej policëve qëllon një herë për ta neutralizuar. Por është vonë. Altin Ndoci zhduket.

KUSH ËSHTË ALTIN NDOCI

Altin Ndoci, 38 vjeç, lindur në Troshan të Lezhës dhe banues në Tiranë, është pjesë e disa dosjeve penale në hetim nga SPAK dhe në gjykim nga Gjykata e Posaçme, i akuzuar për vepra të rënda penale. Emri i tij ka dalë në skenë nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe nga bisedat në SKY, mes personazheve të ndryshme të botës së krimit, madje edhe drejtues të grupeve e organizatave kriminale.

Me vendimin nr.98 të datës 2 gusht 2024, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, si i dyshuar për: “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, në dy raste, “Vrasje me paramendim”, “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dy raste, “Vjedhje me armë” në dy raste, “Përkrahje e autorit të krimit”, vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Organizatë kriminale”.

SPAK e ka akuzuar atë për pjesëmarrje në “Masakrën e Bradasheshit”, ku u vranë vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej, shtetasi Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay, më 29 dhjetor 2018.

Në këtë ngjarje, dyshohet se në makinën e ekzekutorëve kanë qenë 4 persona, Talo Çela si shofer, para Besmir Haxhia dhe mbrapa Altin Ndoci e Dashnor Dumani.

Gjithashtu, Ndoci akuzohet edhe për vrasjen Klevin Bahos dhe plagosjen e vëllait të tij, Aldo (Aleksandër) Baho, më 1 korrik 2019 në Broshkë të Elbasanit. Vrasjen në tentativë të kryer në bashkëpunim, me interes dhe hakmarrje të Kei Pikut, më 16 janar 2020. Gjithashtu edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Erjon Alibejn, gjatë periudhave të ndryshme nga nëntori 2019 deri në janar 2020, si dhe të Ardit (Arjan) Spahiut, ngjarje e planifikuar në periudhën dhjetor 2019 – janar 2020.

Altin Ndoci akuzohet edhe për grabitjen në pistën e Aeroportit “Nëne Tereza”, në Rinas, më 9 prill 2019, si dhe tentativën e grabitjes së banesës së Minella Muçës, në Fier, më 23 mars 2018. Grabitja dështoi vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë së Fierit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku, 20 vjeç ndërsa shoku i Altin Ndocit, Arben Muço, u plagos dhe u arrestua më pas nga policia. Personat e tjerë që ishin me ta atë natë u larguar me shpejtësi, duke mos u arrestuar sot e kësaj ditë nga policia.

Nga ana tjetër ai akuzohet se ka përkrahur edhe të shumëkërkuarin Talo Çela në vitin 2020.

Në dosjen “Plumbi i Artë”, Altin Ndoci, akuzohet nga SPAK në rolin e pjesëmarrësit, në “Vrasjen në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Zylyfi dhe plagosjen e shtetasit Ardit Uruçi, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.

PAFAJËSIA DHE KONTRADIKTA

Altin Ndoci u arrestua fillimisht gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, në maj të vitit 2020. Ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e 4 personave në Durrës. Fillimisht për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj e më pas edhe për vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës. Por më 2 prill 2024 Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, duke e shpallur atë të pafajshëm.

Ishtë dëshmia e të arrestuarit, Klevis Alla, ish-bashkëpunëtor drejtësie, i cili e përfshinte Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi çka bëri që të marrë pafajësinë. Nga ana tjetër për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Gjykata e Posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën, i cili njëkohësisht humbi edhe statusin e bashkëpunëtorit, pasi rezultoi se kishte gënjyer.

Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK kishte ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.

Megjithatë, faktin që Altin Ndoci nuk kishte lidhje me 4 vrasjet në Durrës, e pohojnë gjatë bisedave në SKY edhe vetë anëtarët e tjerë të organizatës “Çopja”, pjesë e të cilës sipas SPAK dyshohet të jetë dhe vetë Ndoci.

Më 11 korrik të vitit 2020, Mikael Kamami, që SPAK e akuzon si organizator të pjesës më të madhe të ngjarjeve të realizuara për llogari të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, komunikon me mesazhe me Franc Çopjan. Kamami i shprehet Çopjas në liedhje me vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, por edhe vëllezërve Haxhia në Durrës, duke shpresuar që të mos ketë qenë i përfshirë aty edhe Dashnor Dumani, pasi këtë gjë do ta përdorin në favor të tyre. Në dosjen e SPAK është pasqyruar edhe nje bisedë në SKY mes Mikael Kamamit dhe Ado Xhikës, të cilit i tregon se vëllezërit Haxhia në Durrës dhe Altin Ndoci janë miqtë e tij. Më tej Kamami i thotë se Altin Ndoci nuk i ka vrarë vëllezërit Haxhia, por aty e ka përfshirë Klevis Alla. Sipas Kamamit, Alla këtë e ka bërë pasi Ndoci i kishte lënë një makinë të vjedhur Allës, Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë. Në një tjetër bisedë, po mes këtyre dy personave, Mikael Kamami i tregon Ado Xhikës se e ka marrë vesh kush janë ekzekutorët e vëllezërve Haxhia. Sipas tij, personi që ka marrë pjesë në vrasjen e Endrit Alibejt, ka marrë pjesë edhe në vrasjen e vëllezërve Haxhia, së bashku me vëllain e tij.

Mikael Kamami: Personat që janë vrarë, vëllezërit Haxhia dhe një nga ekzekutorët në vrasjen e tyre, njihen me ta, pasi së bashku kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Endrit Alibejt. Kjo ka ndodhur për shkak të xhelozisë dhe inateve mes tyre.

Pasi Altin Ndoci ishte arrestuar, me dëshminë e Klevis Allës, që më pas rezultoi e pavërtetë, në maj të vitit 2020, Mikael Kamami bisedon edhe me Talo Çelën.

Mikael Kamami – Talo Çela

Mikael Kamami: Frate po ky kaçuli (Klevis Alla) a ka dit gja për punën e Elbasanit? Leje Dashin. Ky kaçuli po them di gja për gjanat tona, se do hapet çështja e Elbasanit. Se po qe thy kokë çami (nofkë me të cilën i referohen Altin Ndocit), do ketë fol shumë gjana.

Nga konteksti i bisedave, SPAK arsyeton se kuptohet që Mikael Kamami ka dijeni të plotë për ngjarjet kriminale, në të cilat ka marrë pjesë Altin Ndoci dhe i shpreh shqetësim Talo Çelës se nesë mund të kthehet në të penduar, ai mund të flasë për shumë gjëra. Nga ana tjetër, i shpreh edhe dyshimin e tij se në 4 vrasjet e Durrësit mund të ketë marrë pjesë Dashnor Dumani, të cilit i referohet me nofkën “cjapi”. Madje këtë gjë Kamami e shikon si tradhti që ai mund ta ketë bërë duke i shitur te Erion Alibej.

Mikael Kamami – Talo Çela

Mikael Kamami: Po ishalla s’ka gisht cjapi (Dashnor Dumani). Por po pati gisht na ka shit te “krymi”, Erion Alibej. Nuk duhet të largohej Dashnor Dumani pasi ai ka bërë punën e parë.

Sipas SPAK, nga konteksti i kësaj bisede dhe nga deklarimi i Nuredin Dumanit, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, evidentohet se Dashnor Dumani ka marrë pjesë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku ka pasur rolin e ekzekutorit. Kësaj ngjarje, Mikeal Kamami dhe Tola Çela, i referohen si puna e parë.

Nga bisedat që kanë zhvilluar në SKY Mikael Kamami me Talo Çelën dhe nga deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, rezulton se Dashnor Dumani është konfliktuar me Altin Ndocin lidhur me një pagesë që ata kanë marrë në formë kapari për ekzekutimin e një personi. Kjo vrasje nuk është realizuar dhe Altin Ndoci nuk ka pranuar të kthejë shumën e parave që porositësi kishte paguar, pasi sipas tij, sigurimi i kushteve dhe mjeteve e justifikon vlerën monetare të dhënë si kapar. Kapari dyshohet se ka qenë 10 mijë euro. Në lidhje me ketë ngjarje Altin Ndoci dhe Dashnor Dumani kanë pasur një konflikt në autostradën Tiranë – Durrës, ku Ndoci i ka goditur xhamin e makinës dhe ka nxjerrë pistoletën duke tentuar ta qëllojë.

Më pas Franc Çopja shkruan mesazhe në një grup çati me dy persona të paidentifikuar të cilëve u shprehet:

Franc Çopja: Shoku, jam i vogël në moshë, por kam 10 vjet pa pushim, sidomos këtë 5-vjeçarin e fundit, as familje asgjë s’po shijoj. Mall, intriga, lekë, vrit e prit. Më ikën petlla. 

Më pas në të njëjtin grup flitet për disa atentate që kanë ndodhur në qytetin e Durrësit. Në biseda flitet për Dashnor Dumanin, për të cilin Çopja shprehet se gjuan, kryen vrasje me pagesë dhe jeton në Gjermani. Ai tregon se kanë qenë të gjithë bashkë dhe raportet mes tyre janë prishur për shkak të një makine dhe gjithçka ka nisur nga Klevis Alla, që e quan “mostra e vogël”, një tjetër i penduar që pranoi të bashkëpunojë. Pas vrasjes së vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, Klevis Alla ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe nga deklarimi i tij është arrestuar Altin Ndoci, i cili është një nga personat, pjesë e grupit Çopja.

Franc Çopja:  Kanë qenë me mua bashkë të gjithë. Për një makinë të qelbur ka nis gjithë puna, prej atij mostrës së vogël. Na mori në qafë, na prishi punë shumë.

Në interes për hetimet ka qenë edhe një bisedë e zhvilluar në SKY mes Nuredin Dumanit dhe vëllait të tij Dashnor Dumani, ku përveç vrasjeve të kryera, flitet edhe për shuma të majme që ofroheshin për vrasjen e Talo Çelës por edhe të Erion Alibejt.

Nuredin Dumani – Dashnor Dumani

Nuredin Dumani: Duhet t’i kishin shfarosur Kelin (Mikael Qosen), Talon dhe të tjerët, pasi ata mund të më kishin vrarë mua dhe ty po të kishe qenë në Shqipëri.

Nuredin Dumani: Duhet të më ndihmosh të gjej Talo Çelën, se ai është bukëshkelur dhe do ja marr shpirtin. Policia mund të të arrestojë ty pas deklaratave që Talo Çela ka bërë në media.

Nuredin Dumani: Nuk kam qenë me Talon dhe Altinin në vrasjet e Durrësit, por mekaniku (Klevis Alla) ka përfshirë Talon dhe Altin Ndocin.

Nuredin Dumani: Pas vrasjes së Besmir Haxhisë, kam biseduar me Kelin dhe i kam kërkuar të më japë Talo Çelën. Ai më ka ofruar 2 milionë euro dhe Talon në këmbim të vrasjes së “krymit” (Erion Alibejt). Unë pranova dhe u kërkova 1 milionë euro dhe pasi te jepja prova që mund ta kapte “krymin”, ai duhej të më jepte Talo Çelën, në të kundërt nuk bëhej. Nuk ramë dakord dhe pastaj ai më pyeti pse i kisha vrarë njerëzit e tij. Kelit i kam vrarë dy njerëz, djalin e hallës me 25 thika dhe shokun më të ngushtë, Ilin që ka pasur servis.

Në vazhdim të shprehjes së shqetësimit se pas arrestimit, Altin Ndoci mund të fliste, Talo Çela, gjatë një bisede me Franc Çopjan në SKY, i shpjegon edhe arsyen pse Klevis Alla, ka dhënë qëllimisht emrin e Ndocit në Prokurori, duke treguar konfliktin që ka pasur me të.

Talo Çela: Gjithçka ka nisur për shkak të një makine të vjedhur, që Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia ia kanë dërguar Klevis Allës në këmbim të pagimit nga ana e tij të shumës prej 3 mijë euro. Klevis Alla nuk e ka paguar këtë shumë të kërkuar nga Altini dhe Besmiri dhe për këtë arsye ata e kanë rrahur për vdekje.

Të njëjtën gjë, Talo Çela ia shpjegon përmes një mesazhi zanor edhe Arzen Memës.

Talo Çela: Këta janë zënë me njëri – tjetrin. Altini me Dashin. Janë zënë këta të dy që ka plas kjo vlla, nuk ka lidhje ai…. Ai Dashi me mua akuzohet për ke vëllai i “krymit”, për herën e parë, a e kupton apo jo? Del vëllai i Dashit tani në favor të Erion Alibejt. A e kupton çfarë skandali është këtu apo s’e kupton. Dashi ka inat se e rrafi, ai kujton se mori hak.

Frika se Altin Ndoci mund të fliste pas arrestimit, shprehet edhe në një tjetër bisedë që Eljo Bitri bën me Talo Çelën më 27 maj 2020. Sipas SPAK këto komunikime janë zhvilluar pasi Altin Ndoci ka qenë i arrestuar dhe Eljo Bitri kishte merak se ai mund të depononte për ngjarjet që ka marrë pjesë. Nga biseda, Bitri këshillon Talo Çelën që t’i dërgojë dikë Ndocit që të mos flasë.

SKY, “ÇOPJA” DHE SISTEMI

Sipas SPAK, Altin Ndoci ka përdorur telefona SKY dhe ka komunikuar për porosi vrasjesh për llogari të organizatës kriminale “Çopja”.

Avokati i tij e mohon kategorikisht këtë fakt, duke e cilësuar paraburgimin si të padrejtë. Ndërsa shprehet se Ndoci ka pasur SKY vetëm 3 ditë.

Megjithatë, në dosjen e SPAK thuhet se Altin Ndoci ka pasur në përdorim SKY, me kodin pin DLQGI6.

Madje, në një bisedë të datës 4 gusht 2020, kur Altin Ndoci mbahej në paraburgim, oficeri i Policisë Agustin Çinari bisedon me Franc Çopjan, ku rezulton se Çinari ka biseduar me një punonjës të Burgut të Durrësit që t’i fusë një telefon me SKY Ndocit në burg.  SPAK ka marrë në hetim si pjesë e grupit Çopja, edhe punonjësin e Policisë së Durrësit, Agustin Çinari, i cili në raste të përsëritura gjatë vitit 2020, ka kryer kontrolle në sistemet e Policisë së Shtetit për llogari të Franc Çopjas.

Megjithatë, SPAK akuzat që ka ngritur ndaj Altin Ndocit, nuk i mbështet vetëm në dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe nga bisedat që anëtarët e organizatës “Çopja”, kanë zhvilluar me njëri-tjetrin në SKY, kur herë pas here është përmendur emri i Ndocit si i përfshirë në ngjarje.

E një ndër këto ngjarje është edhe vrasja e trefishtë e vitit 2018, e njohur si “Masakra e Bradasheshit”.

Nga të gjitha veprimet, konteksti i bisedave në SKY e provave të tjera që i mbështesin, SPAK ka dyshime të arsyeshme se vrasja e Endrit Alibejt, Arben Dylgjerit dhe Erdal Duranay është kryer në bashkëpunim nga: Franc Çopja e Hajdar Çopja që kanë pasur rolin e financuesit dhe porositësit, Mikael Kamami (Qosja), në rolin e organizatorit dhe vëzhguesit, Talo Çela, organizator dhe shofer i mjetit të autorëve, Altin Ndoci në rolin e ekzekutorit, Dashnor Dumani, si pjesëmarrës në ngjarje, Besmir Haxhia, në rolin e ekzekutorit, Emiljano Ramazani në rolin e vëzhguesit dhe informatorit, Eljo Bitri në rolin e vëzhguesit dhe informatorit. Për Besmir Haxhinë dhe Emiljano Ramazanin nuk mund të fillohet procedim pasi janë vrarë.

Nga ana tjetër, përveç dëshmisë së Nuredin Dumanit, SPAK ka administruar edhe dëshminë e Erion Alibejt në lidhje me këtë ngjarje.

Erion Alibej

Bisedat me Nuredin Dumanin më kanë shërbyer për të rikonfirmuar ato që unë dija. Një nga personat që unë kisha informacione se ishte i përfshirë në atentatin ndaj familjarëve të mi, në atentatin ndaj Endritit në Bradashesh, ishte dhe vëllai i Nuredinit, që quhet Dashnor Dumani. Për Dashnorin kisha informacione tepër të sigurta, siç e kam deklaruar më përpara, që Dashnori ka qenë një nga ekzekutorët. Në fund të bisedës me Nuredinin, pasi ai mbaroi shpjegimet e tij, unë fillova të jap shpjegimet e mia dhe në fund të bisedës i thashë duke e akuzuar drejtpërdrejt që “Dashnori, vëllai yt, ka qenë ekzekutor në ngjarjen e Endritit, ndërsa ti ke qenë në burg në Francë dhe vëllai tjetër ka qenë në burg në Shqipëri”. Nuredini nuk e pranoi këtë që i thashë por më shpjegoi që ai me Dashnorin nuk i kanë marrëdhëniet e mira. Gjithashtu, Nuredinit i thashë se në atentatin ndaj familjarëve të mi kanë marrë pjesë, Talo Çela, Altin Ndoci, Besmir Haxhia. Për këta kisha mbledhur informacione para takimit me Nuredinin, kam dhënë shpjegime më përpara. Pas rreth 2 orë e gjysmë diskutim, krijova mendim për Nuredinin, që më korrespondonte me të gjitha informacionet që unë kisha mbledhur deri në ditën e takimit me të. Por nga Niredini mësova nga ai edhe për persona të tjerë dhe ngjarje të tjera që unë nuk kisha pasur dijeni.

Megjithëse SPAK thotë se emrat e pjesëmarrësve në “Masakrën e Bradasheshit”, kanë dalë jo vetëm nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe nga mesazhet në SKY, mbrojtësit e Altin Ndocit, duket se nuk janë dakord.

Një vit pas vrasjes së trefishtë në Bradashesh, në dhjetor të vitit 2019, u ekzekutua një tjetër anëtar i grupit Alibej. Bëhet fjalë për vrasjen e Andi Zylyfit, i cili ishte djali i hallës së Endrit Alibejt. Për këtë ngjarje, SPAK akuzon si pjesëmarrës Altin Ndocin, i cili po gjykohej në procesin e “Plumbit të artë, i cili është në fazën e dëshmive. Ngjarja ndodhi në fshatin Përparim, në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi atentatit. Shtatë muaj pas kësaj ngjarje, ndodh një tjetër vrasje.

Mesnatën e 1 korrikut të vitit 2020 qëllohet drejt vëllezërve Klevin dhe Aldo Baho, në fshatin Broshkë të Elbasanit. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri është vrarë Klevin Baho dhe është plagosur rëndë vëllai i tij, Aldo, i njohur edhe me emrin Aleksandër Baho. Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Posaçme, më 15 prill 2022, ka marrë deklarime të Nuredin Dumanit, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, si dhe në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë më 17 qershor 2022.

Nuredin Dumani

Në kohën kur unë kisha dalë nga burgu, Talo vinte shpesh te shtëpia ime në kat të dytë, së bashku me Altin Ndocin. Gjatë diskutimeve dilnin shumë tema dhe një nga këto tema ishte edhe kjo ku e tregonin për krenari vrasjen e trefishtë, si dhe atentatin ndaj vëllezërve Baho, ku kishin pasur kundërpërgjigje të fortë, aq sa ishte dëmtuar edhe makina e tyre. Në këtë ngjarje ka marrë pjesë Talo, Altin Ndoci, Miri Haxhia dhe Dorjan Shkoza. Kur kam qenë duke shkuar në Elbasan me Altin Ndocin, nuk mbaj mend se për çfarë, por rrugës Altini më ka treguar vendin që është realizuar atentati ndaj vëllezërve Baho, si dhe vendin ku po e prisnin dhe lokalin se ku vëllezërit Baho po pinin kafe. Më tregoi si i kishin ndjekur dhe gjuajtur nga pas. Objektivi nuk ka qenë vëllai i vogël por Sandri, pasi ishte shoku i Erionit. Makina e atentatit ndaj vëllezërve Baho është nisur për Durrës, në lagjen Spitallë, ku është çmontuar te shtëpia e motrës së Miri Haxhisë.

Në lidhje me këtë ngjarje, i është marrë deklarim në Prokurorinë e Torinos në Itali, personit që mbeti i plagosur, Aldo Baho, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të dobishme të hetimit. Ky deklarim është marrë në prezencë të autoriteteve italiane të drejtësisë, prokurores së ngarkuar me detyrën për ekzekutimin e letërporosisë, hetuesve të BKH-së, si dhe të një përkthyesi.

Aldo Baho

Unë nuk pashë cilët ishin personat që na qëlluan. Kishin një maskë të zezë. Unë i pashë personat që ishin brenda makinës vetëm kur më kaluan anash dhe pashë që ata që ishin ulur para kishin maskë të zezë. Nuk arrita të shoh atë të ulur mbrapa. Mund të them që pasagjeri përpara ishte trupmadh, i gjatë, jo i shëndoshë, por trupmadh. Askush nuk kishte inate as me mua as me vëllain tim. Nuk di ta shpjegoj arsyen e të shtënave. Nuk kam pasur konflikte me askën. Në atë moment nuk dija asgjë por më vonë dëgjova disa fjalë. Unë shkoja me një shok në Elbasan dhe atij në të shkuarën i kishin bërë atentat duke i vrarë vëllain, xhaxhain dhe një shok. Ky person quhet Erion Alibej. 6-7 muaj më parë i kanë bërë atentat këtij shokuty. Pas atentatit ndaj tij na bënë edhe ne atentat. Ishte një mesazh i qartë. Si ai që rri pranë Erion Alibejt, apo ai që shoqërohet me të, do të ketë atë fund. Nuk di cilët mund të jenë autorët. Nuk kam prova mbi përfshirjen e tyre. Më bëhet me dije se mund të them edhe supozimet e mia dhe deklaroj se nga sa kam dëgjuar më pas, njëri mund të jetë Tosi Gosa nga Peqini. Ky subjekt sot ndodhet në burg në Shqipëri. Unë di që ai kishte një lidhje shumë të ngushtë me atë që drejtonte “Benzin” atë natë. Ata ishin të maskuar, por dëgjova fjalë më pas dhe me 90 për qind ishte Talo Çela. Unë e njihja sepse banonim në të njëjtën zonë.

SPAK thotë se nga analizimi i bisedave të zhvilluara në SKY, janë përftuar të dhëna me interes për hetimet në lidhje me vrasjen e Klevin Bahos dhe plagosjes së vëllait të tij, Aldo Baho. Sipas Prokurorisë së Posaçme, bazuar në vlerësimin ligjor të rrethanave të faktit të ndodhur, hetimeve të kryera dhe provave të administruara, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se ngjarja e datës 1 korrik 2019, me pasojë vasjen e Klevin Bahos dhe plagosjen e Aldo Bahos, është financuar dhe porositur nga vëllezërit Çopja. Kjo për shkak të lidhjes shoqërore që Aldo Baho ka pasur me Endrit Alibejn, si dhe vëllain e tij, Erion Alibej. Sipas SPAK, organizator i vrasjes evidentohet Mikael Kamami. Nga hetimet, Prokuroria thotë se ka rezultuar se Talo Çela ka qenë në rolin e drejtuesit të përdorur nga autorët dhe ekzekutorë kanë qenë Altin Ndoci, Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që kanë ndihmuar autorët duke u dhënë informacion dhe u kanë krijuar lehtësira pas ngjarjes, duke asgjësuar mjetet e përdorura, me qëllim zhdukjen e provave dhe mosgjetjen e tyre.

SPAK ka ngritur akuzë ndaj Altin Ndocit edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Erjon Alibejn, gjatë periudhave të ndryshme nga nëntori 2019 deri në janar 2020. Sipas dosjes së Prokurorisë, ky plan ishte organizuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, Mikael Kamami, Altin Ndoci dhe Flobenc Meçja, të cilët rezulton të kenë kryer veprime konkrete për vrasjen e Alibejt. Për këtë ngjarje janë zhvilluar biseda konkrete mes Franc Çopjas dhe Mikael Kamamit. Më pas Kamami ka biseduar me Altin Ndocin dhe Flobenc Meçen. Referuar bisedave, Altin Ndoci informonte Kamamin se Flobenc Meçja do të nxirrte në pritë Erion Alibejn dhe kur të dilte do ta ekzekutonte. Në kohën që është zhvilluar kjo bisedë, Erion Alibej ndodhej në burg. Kamami informonte se shuma për vrasjen e tij varionte nga 500 mijë deri në 1 milion euro. Është diskutuar që ta qëllojnë me snajper, por më pas kanë dalë në përfundimin se ka vështirësi, pasi plumbat nuk mund të depërtojnë duke qenë se janë godinat që e mbrojnë.

Përveç planit për vrasjen e Alibejt, SPAK e akuzon Altin Ndocin edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e Arjan Spahiut. Duke analizuar të dhënat e siguruara nga komunikimet në SKY, Prokuroria ka dyshime të arsyeshme në lidhje me këtë ngjarje, por edhe plagosjen e Kei Pikut.

Sipas SPAK, organizata kriminale e vëllezërve Çopja, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 e 2020, është angazhuar maksimalisht për ekzekutimin e Arjan Spahiut, i cili ishte pjesë e klanit Alibej. Madje në një rast ata kanë tentuar që përveç Arjanit të vrisnin edhe vëllain e tij, Arbenin, duke dashur që të eliminonin edhe miqtë e tyre, të gjithë që ishin afër vëllezërve Alibej. Në atë periudhë Arjan Spahiu ndodhej në Elbasan. Në një rast, më 14 janar 2020, Talo Çela dhe Altin Ndoci, sipas SPAK, janë angazhuar maksimalisht duke ndjekur me një makinë me fenelina policie automjetin që supozohej se ndodhej Arjan Spahiu, por pasi e kanë ndaluar, kanë parë që në makinë ndodhej dikush tjetër. Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se këto të dhëna, Altin Ndoci ia ka treguar vetë Mikael Kamamit, gjatë një bisede me të në SKY. Grupi kishte marrë direktiva se në rast se eliminohej Spahiu, 85 për qind e luftës ishte e fituar.

Në dosjen e SPAK analizohen bisedat e zhvilluara në SKY, edhe në lidhje me grabitjen e ndodhur ne pistën e Aeroportit të Rinasit, ngjarje për të cilën po ashtu është ngritur akuzë ndaj Altin Ndocit. Nga bisedat që ndodhen në këtë dosje, dyshohet se Dashnor Dumani dhe Altin Ndoci janë personat që kanë djegur furgonin e ngjashëm me atë të autorëve.

Bëhet fjalë për ngjarjen e 9 prillit të vitit 2019, kur në pistën e avionëve në Aeroportin e Rinasit, persona të armatosur me armë luftarake dhe të maskuar, grabisin afro 4.6 milionë euro që do të eksportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë.

Për ngjarjen Gjykata e Posaçme dha vendimin në muajin tetor të vitit 2023 duke dënuar me 122 vite burgim 7 të pandehurit e grupit kriminal. Ai që konsiderohej numri dy i këtij grupi grabitësish, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, janë dënuar me nga 17 vite burg për secili. Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite. Ndërsa i akuzuar si pjesë e bandës është edhe Talo Çela, por gjykimi për të vijon të jetë i ndarë sepse ai është ende në arrati, duke u zhvilluar në mungesë.

Nga identifikimi i autorit të ngjarjes, personit që mbeti i vrarë, Admir Murataj, provave shkencore të përftuara në lidhje me automjetin e përdorur në vendin e ngjarjes për të realizuar vjedhjen me armë, shpjegime që janë konfirmuar edhe nga i pandehuri Alkond Bengasi, është bërë e mundur zbulimi i disa prej anëtarëve të grupit kriminal.

Ndërkohë nga analizimi i bisedave të zhvilluara në SKY, rezultoi se përveç autorëve që ishin të identifikuar dhe të vënë nën akuzë, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe Altin Ndoci, Dashnor Dumani, Dorian Shkoza, i cili është vrarë dhe persona të tjerë. Edhe për këtë ngjarje ka dhënë sqarime në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se i vëllai ka marrë nga Talo Çela 30 mijë euro, ndërsa vetë Talo ka marrë 600 mijë euro.

SPAK ka administruar ndër të tjera edhe një bisedë të zhvilluar në SKY mes Talo Çelës dhe Franc Çopjas, ku i flet për raportin që ka me Altin Ndocin dhe për provat që mund të ketë Prokuroria për këtë ngjarje.

Talo Çela: Për mua Altinin jemi shokë me to, të përbashkët, kaq. Pastaj Rinas, grabitje, gjëra, të gjitha bashkë. I lidhin me Rinasit kot mendoj, për t’i bërë lëmsh, s’e di…

Talo Çela: Ishalla s’ka prova të tjera për Rinasin, ia hodha unë.

Më pas Talo Çela komunikon për të njëjtën çështje me Mikael Kamamin.

Talo Çela – Mikael Kamami

Mikael Kamami: Mos kanë përgjuar të shtëpisë së atij dhe mos ka dalë emri jot dhe i Altin Ndocit te shtëpia. Edhe mos mendojnë që ka qenë edhe Altini.

Mikael Kamami: Nuk ka thënë ai që strehonim një të Rinasit, kjo ka dalë nga bisedat e familjarëve.

Mikael Kamami: Eljo u bë xheloz kur bërë Rinasin dhe këtë ta tha në sy.

Mikael Kamami: E mbyllim këtë të Rinasit se për të tjerat s’ka asnjë provë.

Mikael Kamami: Me llafe s’të dënon kush në Gjykatë, se për këtë punë i kemi lekët, s’i kemi për me i mbajt poshtë jastëkut.

Talo Çela: Po kam frikë tjetër unë se gjithmonë s’ka provë, s’ka provë, por kam hall mos e ka vrarë dajën gabimisht një nga këta, si greku i vogël për shembull, që s’e takonte vëllain e dajës. Pse nuk e takonte ai? S’ka gjë të keqe edhe gabimisht tha ai, po s’ka gjë, robi e takon. Dhe dosja mbahet sekret dhe shpërthen në gjyqe ekspertiza për dajën e mbase del distancë e afërt, 2-4 metra distancë, gabimisht nga kallashi. I bie nga shokët. Se të zinjtë kanë pasë armë Bereta automatike, kanë gjuajtur nga mbi 50 metra larg. Nuk mund ta shpojë kokën tej e tej, por s’e di tani, ishalla. I kanë gjuajtur të zinjtë, mos të ngeli nga ana jonë, se vëllai i tij thotë është vrarë nga shokët gabimisht. Kjo është e keqe për të gjithë pastaj. Armët janë djegur me furgonat.

Me “greku” ata i referohen vëllezërve Çala, ndërsa me “spiuni”, Alkond Bengasit. Nga konteksti i bisedave rezulton që Talo Çela ka qenë shofer i automjetit të grabitjes në Rinas.

Sipas dosjes së SPAK, më 27 prill 2020 nga bisedat në SKY rezulton se Altin Ndoci ka ndihmuar Talo Çelën që ishte në kërkim, që të lëvizë nga banesa e vëllezërve Haxhia në Durrës, në drejtim të zonës së Plepave. Sapo ka mësuar për ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia i ka shkuar për ndihmë Talo Çelës. Kjo, sipas Prokurorisë së Posaçme, është vërtetuar edhe nga qelizat e logimeve të Altin Ndocit pas vrasjes së vëllezërve Haxhia.

PËRGJEGJËSITË DHE HETIMI

Nga këndvështrimi ligjor, arratisja e Altin Ndocit nuk përbën thjesht një shkelje të masës së sigurisë. Ajo përfaqëson një ngjarje me pasoja të rënda penale dhe institucionale, që vë në diskutim funksionimin e gjithë sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale. Kodi Penal parashikon qartë përgjegjësinë për arratisjen nga vendet e vuajtjes së dënimit, por kjo dosje shtron një pyetje thelbësore: A ishte arratisja rezultat i një veprimi individual, apo pasojë e një zinxhiri shkeljesh dhe neglizhencash apo edhe bashkëpunimi nga strukturat përgjegjëse? Dyshimet shtohen edhe më shumë, kur vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, deklaron zyrtarisht se Burgu i Durrësit nuk i kishte njoftuar.

Drejtoria e Burgjeve

Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë. I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset. Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Procedurat ligjore për ruajtjen, shoqërimin dhe kontrollin e personave të dënuar janë të detajuara dhe detyruese. Çdo devijim nga këto procedura përbën shkak për përgjegjësi penale dhe disiplinore të funksionarëve publikë. Zyrtarisht u tha se në ngjarjen e 13 janarit 2026 u shkel protokolli i sigurisë, pasi nuk ishin marrë masat e nevojshme, ashtu siç thuhet në nenin 109 të Rregullores së Burgjeve, që përcakton qartë masat që duhen marrë në rastet e shoqërimit për shërbimin shëndetësor jashtë institucionit të burgut apo paraburgimit.

Mangësitë në zbatim të masave të sigurisë dhe përgjegjësia e drejtpërdrejtë njerëzore dhe institucionale solli edhe shkarkimin, jo vetëm të drejtorit të burgut, por edhe të 11 punonjësve të të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit.

Por përveç shkarkimeve, pati edhe arrestime. Drejtoria e Burgjeve, deklaroi zyrtarisht se:

Drejtoria e Burgjeve

Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:

  • Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
  • Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
  • Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Ndërkohë, një ditë pas shkarkimit, u vu në pranga edhe drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Për të njëjtën akuzë Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” edhe për shefen e shërbimit shëndetësor në burg, Ylfete Sema. Nga ana tjetër, hetimet kanë zbuluar edhe një shkelje tjetër, që thellon edhe më shumë dyshimet për një bashkëpunim apo veprime të qëllimshme, pasi mjeku që duhej të kryente konsultën me Altin Ndocin, në kohën që ai është dërguar në spital, ishte në sallën e operacionit dhe nuk ka kryer asnjë konsultë me të. Sipas rregullores së burgjeve, mjeku duhej lajmëruar më parë dhe të ishte aty në momentin që mbërrinte i paraburgosuri. Por fakti që ndodhej në sallë, ngre dyshimet se ai mund të mos jetë informuar.

Arratisja e Altin Ndocit përveç arrestimeve dhe shkarkimeve, çoi edhe në një vendim ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili pas një takimi me drejtuesit e burgjeve, më 14 janar, kërkoi vlerësimin e parametrave të sigurisë në burgun e Durrësit, duke konsideruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë. Kërkesë që gjeti zbatim vetëm disa orë pas këtij takimi, pasi shume persona qe konsiderohen me rrezikshmëri të lartë nisën të transferohen drejt burgut të Fierit. Autokolona me furgonët e Burgjeve, transferoi 33 të burgosur nga Durrësi në Fier. Por kjo lëvizje, zbuloi se në fakt Altin Ndoci, nuk ishte i vetmi person, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, që mbahej në Burgun e Durrësit. Mes të transferuarve kishte edhe emra, pothuajse po aq të rrezikshëm se ai.

Nëse provohet se masat e sigurisë nuk janë zbatuar, apo janë lehtësuar në mënyrë të pajustifikuar, atëherë çështja nuk mbetet vetëm te arratisja e një të dënuari, por kalon në një hetim për shpërdorim detyre, bashkëpunim ose favorizim të autorit.

Rasti i Altin Ndocit nuk është vetëm një histori arratisjeje.

Është një test për shtetin e së drejtës dhe për aftësinë e institucioneve për të garantuar zbatimin e ligjit.

Arratisja e Altin Ndocit nuk është vetëm historia e një të burgosuri që iku. Është pasqyra e një sistemi që dështoi.

Një arratisje që sot nuk dihet ku përfundon, por që nesër mund të ketë pasoja që shkojnë shumë përtej një emri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!