Gjeorgji/ Parlamenti miraton kufizime për të drejtat LGBT

schedule15:20 - 27 Qershor, 2024

schedule 15:20 - 27 Qershor, 2024

Parlamenti i Gjeorgjisë miratoi sot në parim një seri projektligjesh që përfshijnë kufizime shumë serioze për të drejtat e komunitetit LGBTI+, duke përfshirë ndalimin e “propagandës” në lidhje me marrëdhëniet e të njëjtit seks dhe operacionet e ndryshimit të seksit.

Paketa legjislative, e propozuar nga partia qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe e cila mund të shpallë të paligjshme paradën e Krenarisë, si dhe përdorimin publik të flamurit LGBTQI+, u miratua nga shumica e deputetëve.

Kryetari i parlamentit Salva Papauashvili tha në fillim të këtij muaji se deputetët do të votojnë projektligjin gjatë vjeshtës.

Legjislacioni synon gjithashtu të ndalojë individët joheteroseksualë të birësojnë fëmijë dhe të parandalojë qytetarët që të ndryshojnë gjininë e tyre në dokumentet publike të identifikimit.

Mbledhjet publike që promovojnë marrëdhëniet e të njëjtit seks gjithashtu nuk do të lejohen. Nëse miratohet, do të shpallte të jashtëligjshme edhe “propagandën LGBTQ+” në sistemin arsimor.

Të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë një çështje e diskutueshme në shoqërinë thellësisht fetare të Gjeorgjisë.

Masat e propozuara ka të ngjarë të nxisin shqetësimet e Bashkimit Europian dhe të SHBA-së në lidhje me drejtimin politik të Gjeorgjisë, pas kritikave të tyre ndaj një ligji për “agjentët e huaj” që kritikët thonë se është i frymëzuar nga Rusia.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!