Gjenerali serb i kërkon KFOR-it të mbrojë serbët në Kosovë

schedule17:00 - 23 Qershor, 2023

schedule 17:00 - 23 Qershor, 2023

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviq, tha më 23 qershor se i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të ndërmarrë masa urgjente për të mbrojtur popullatën serbe në Kosovë.

Këtë njoftim ai e bëri gjatë një adresimi të shkurtër për media, në ditën kur Policia e Kosovës arrestoi edhe një serb të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan.

Gjenerali Mojsilloviq tha se e ka informuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, se “ne po i përcjellim ngjarjet me ankth të madh”.

“Ne kërkojmë që të ndërmerren masa urgjente për të mbrojtur popullatën serbe dhe të drejtën e tyre për mbijetesë. Kjo është lutja jonë për njësitë e KFOR-it dhe institucionet e tjera ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë dhe Metohi”, tha Mojsilloviq.

Ai shtoi se Ushtria serbe do të përmbushë të gjitha obligimet ligjore ndërkombëtare që dalin nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, është e qartë se sot komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush obligimet e tij.

“Ushtria e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën serbe dhe Kartën e OKB-së, nëse merr urdhër nga komandanti suprem, të do kryejë të gjitha detyrat e saj në tërësi në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë”, tha Mojsilloviq.

Më 23 qershor, Policia e Kosovës arrestoi një serb në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Nenad Orlloviq, dyshohet se ka marrë pjesë në grupin që ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj. Nga përleshjet mes serbëve dhe KFOR-it, u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Autoritetet në Kosovë kanë pretenduar se “grupet kriminale që mbështeten nga Beogradi” qëndrojnë pas sulmit në Zveçan – një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe dënoi arrestimin, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po saboton” dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur policia asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të hynin në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët po vazhdojnë të protestojnë para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Protestuesit po kërkojnë që kryetarët e rinj të mos punojnë nga ndërtesat komunale dhe që policia të tërhiqet nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

Këto kërkesa u përsëritën nga BE-ja më 22 qershor, pas takimeve që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë këto kërkesa, por përmes sundimit të ligjit, ndërkaq Vuçiq tha se në këto takime nuk ka pasur dakordim për asgjë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!