Gjeneral Lejtnanti në pension i Ushtrisë Amerikane, Claude Kicklighter, i ka shprehur ngushëllime ish-presidentit Hashim Thaçi për vdekjen e babait, Haxhiut.
Kicklighter në telegramin e ngushëllimit tha se e dinë nga përvoja se sa e dhimbshme është humbja e një prindi, pasi sipas tij, nuk ka asgjë që mund ta krahasojë këtë humbje të madhe.
“Vazhdojmë të lutemi për lirimin tuaj, në mënyrë që të bashkoheni me familjen tuaj, sidomos tani. Në vendin tim thuhet se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe rasti juaj ka qenë padrejtësi që nga fillimi. Është shumë e dhimbshme që gjatë viteve të fundit të jetës së babait tuaj, ju nuk ishit pranë tij. Sa kam kuptuar, gjykata ju dha vetëm rreth tri orë për të qenë me të në momentet e fundit”.
“Siç mund ta kujtoni, kisha planifikuar të ju vizitoja në burg, bashkë me Ambasadorin dhe Kongresmenin, Tony Hall, dhe Ambasadorin Ahmet Shala. Për shkak të një sëmundjeje, m’u desh ta anuloj udhëtimin tim, por kam vazhduar të lutem për ju dhe familjen tuaj, dhe do të vazhdoj ta bëj këtë deri në ditën kur do të liroheni e do të jeni sërish pranë familjes suaj, miqve dhe popullit të mrekullueshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit, njofton Klankosova.tv.
Më tej ai tha se shpreson që do të mund ta vizitojë së shpejti Thaçin, teksa shtoi se lutja e tij është që deri atëherë ky makth të ketë marrë fund.
“Amerika është me të vërtetë e bekuar që ka një lidhje kaq të fortë miqësie mes dy kombeve dhe popujve tanë. Jam thellësisht mirënjohës për këtë miqësi. Me shumë dashuri, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”, tha ai./ KlanKosova