Gjatë natës së djeshme në spitalin e Krujës, një numër i madh pacientësh janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore me simptoma të helmimit.
Gazetari Ahmet Zani bën me dije se dyshohet se ata janë helmuar nga uji. Në dy ditët e fundit në urgjencën e Infektivit dhe atë të Pediatrisë ka pasur fluks pacientësh me diarre dhe të vjella. Në harkun kohor të 48 orëve janë paraqitur 300 pacientë.
Mjekja Mimoza Tali sqaroi një ditë më parë për ABC se të gjithë personave me këto simptoma u është dhënë ndihma e parë dhe më pas janë dërguar në banesat e tyre ku do të vijojnë mjekimin. “Kam tre kalamajtë e vëllait dhe vëllain. Vetëm bark e të vjella, nuk dimë gjë tjetër,” tha një banore.
Policia e Krujës ka ngritur një grup pune për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut. Gjithashtu për situatën kanë vënë në dijeni organet e shëndetit publik dhe të AKU-së. Policia sqaron se janë në pritje edhe të rezultateve të analizave të ujit. m.v/Abcnews.al