Gjendja mund të përkeqësohet, Kosova zgjat sërish masat emergjente për energjinë

schedule07:54 - 12 Janar, 2023

schedule 07:54 - 12 Janar, 2023

Kosova i ka zgjatur masat emergjente për furnizim me energji. Në mbledhjen e ekzekutvitit, kryeministri Albin Kurti, tha se furnizimi me energji mund të përkeqësohet. Derisa ministrja e Ekonomisë ka bërë thirrje që të merren masat e nevojshme për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që për të disatën herë të zgjas masat emergjente të energjisë elektrike edhe për 30 ditë.

Sipas arsyetimin, kjo zgjatje po bëhet për rrezikun e rritjes së çmimeve të rrymës në bursat ndërkombëtare.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se duke marrë parasysh se gjendja aktuale me çështjen e energjisë mund të përkeqësohet, si dhe çmimet e importit të energjisë mund të shënojnë ngritje gjatë këtij muaji dhe muajve në vijim, Ministria e Ekonomisë ka propozuar masat emergjente në furnizim me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në prezantimin e masave tha se të tjera shtesë mund të ndërmerren varësisht situatës.

“Duke qenë se furnizimi me energji elektrike vazhdon të ketë rrisqe të lidhura me rritjen eventuale që pritet gjatë fundit të muajit shkurt dhe muajit mars veçanërisht me ftohjen e motit në gjithë Evropën. Propozojmë masat e emergjencës në furnizim me energji ku ndër të tjera ndalohet përdorimi i energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave, obligohen institucionet si KEDS, KOSTT, Ministria e Ekonomisë të marrin masa të veçanta për siguri të furnizimit. Masa shtesë do të ndërmerren sipas nevojës dhe rekomandimeve të Komitetit Teknik Emergjent, siç parashihet me ligj dhe udhëzimin administrativ”.
Ditë më parë, Artane Rizvanolli së bashku me kryeministrin Albin Kurti kishin bërë thirrje për kursimin e rrymës.

Në një video-mesazh ata kanë thënë se dy muajt e këtij viti janë kritikë në përballje me krizën energjetik.

Ata thonë se marrë parasysh që Kosova gjendet në rrjetin e përbashkët energjetik evropian, i cili po vuan nga kriza ekstreme energjetike, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, situata energjetike në të cilën mund të gjendet vendi gjatë muajve të dimrit, mbetet e paqartë dhe e pasigurt.

Kujtojmë se këto masa për herë të fundit kishin hyrë në fuqi më 8 dhjetor 2022-së.

Në shtator, Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim që i obligon institucionet publike, qendrore e lokale, si dhe të gjitha ndërmarrjet publike që të jenë “racionale në konsumim të energjisë” – me fokus të veçantë te ngrohja dhe ndriçimi.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë. Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!