Gjekmarkaj: Besoj te sistemi i drejtësisë, SPAK të inkurajohet. Minxhozi: Berisha kërkon të bëjë drejtësi në rrugë populiste!

schedule20:25 - 22 Nëntor, 2023

schedule 20:25 - 22 Nëntor, 2023

Deputeti Agron Gjekmarkaj në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC, komentoi çështjen “Partizani”, duke u ndalur tek hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha si edhe qëndrimin e këtij të fundit.

Gjekmarkaj u shpreh se e mbështet drejtësinë, duke shtuar se SPAK duhet të inkurajohet dhe të bëjë punën e saj dhe të mos bjerë pre e askujt.

“Në mënyrë empirike dua të besoj tek drejtësia dhe i kam qëndruar larg komenteve për këtë çështje edhe pse mund të politizohet. Besoj që sistemi i drejtësisë duhet të ketë mekanizma qoftë për të hetuar edhe ato që ngre zoti Berisha. Gjithashtu duhet vërtetuar zonja kur e ka blerë, kujt ia ka blerë dhe ka apo jo konflikt interesi. Unë e kam mbështetur reformën në drejtësi edhe me rezerva të miat. Por mendoj që SPAK duhet të inkurajohet në punën e vet dhe shpresoj të mos bie pre dhe duhet të jetë e distancuar nga qeveria. Drejtësia është procedurë, ajo vlen për të gjithë. Në rastin e Berishës, ka pasur një shkelje të hapur të të drejtave të deputetit, duke shkelur rregulloren dhe kjo duhet të përbëjë shqetësim për çdo parlamentar. Drejtësia është e vetmja ganxhë në të cilën kapen shpresat e qytetarëve dhe politikanët duhet ta mbështesin por edhe të kërkojë llogari kur bëhet e njëanshme”, tha Gjekmarkaj.

Nga ana e tij analisti Skënder Minxhozi, u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha kërkon që gjithçka ta kthejë në cirk.

“Ndodhemi në të njëjtën rrethanë kur një person në momente tragjike për vendin ku ai ose ka qenë protagonist apo akuzuar ne e dimë sjelljen e tij. Sjellja e tij është;  “unë drejtësinë e marr brenda zyrës time”, dhe ne sot po shohim që gjyqi për klubin Partizani po bëhet kudo. Berisha në çdo akuzë ku është përfshirë në vetë të parë, ai ka dashur që të mos shkojë te Prokuroria. I dimë në vite sjelljet e tij në raport me drejtësinë, ai kërkon ta marrë në rrugë populiste, por ajo nuk merret duke përmbysur karriget në parlament. Berisha kërkon ta kthejë gjithçka në një cirk”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!