Kampionati i Maqedonisë së Veriut, rrezikon rifillimin. Autoritetet shtetërore dhe Federata, vendosën që futbolli të rifillonte mes datave 14 dhe 21 qershor, por lajmet e fundit kanë shtuar pesimizmin. Plot gjashtë futbollistë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 në përgjigjet e testeve dhe të gjithë janë lojtarë të skuadrave shqiptare.
Dy i përkasin kampionëve të Shkëndisë së Tetovës dhe katër Renovës, skuadrës tjetër nga Tetova. “Për këtë shkak, seancat stërvitore të këtyre klubeve janë anuluar. Lojtarët do të vendosen menjëherë në vetizolim dhe karantinë shtëpiake“, informohet nga Sindikata e Futbollistëve të Maqedonisë.
Shkëndija ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare, duke e konfirmuar lajmin. “Për fat të keq, gjatë ditës së sotme, nga Sindikata e futbollistëve, na kanë njoftuar se dy anëtarë të klubit tonë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Në interes të besueshmërisë së rezultateve, klubi menjëherë ka nisur procedurat për të kryer testimet e dyta të dy anëtarëve që rezultojnë pozitivë.
Duke respektuar instruksionet e organeve kompetente, dy anëtarët me COVID-19 janë izoluar sipas rekomandimeve, ndërsa klubi hapat e radhës do t’i marrë në koordinim me Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe Institutin për Shëndetin Publik“, lexohet në komunikatën e kuqezinjve. /abcnews.al