Ryan Giggs nuk do të drejtojë Uellsin në Euro 2020. Ish-mesfushori legjendar i Manchester United dhe trajner i kombëtares së vendit të tij prej janarit të vitit 2018, akuzohet për sulme fizike ndaj dy femrave, njëra prej të cilave e dashura e tij.
Trajneri u arrestua nëntorin e kaluar, teksa vijojnë hetimet në lidhje me akuzat ndaj tij. Një gjë e tillë ka detyruar drejtuesit e futbollit të Uellsit të vendosin një trajner tjetër në stolin e kombëtares. Ai është Robert Page, i cili e ka drejtuar kombëtaren prej nëntorit të kaluar.
46-vjeçari ka punuar si ndihmës trajner dhe menaxher i kombëtares ishullore. Tani do të jetë timonieri i Gareth Bale me shokë në Euro 2020. Uellsi është pjesë e grupit A dhe do të ketë rivalë skuadra si Italia, Turqia dhe Zvicra.
“Federata e Futbollit të Uellsit (FAW), duke marrë parasysh vazhdimin e hetimeve në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Giggs, ka konfirmuar Robert Page në rolin e trajnerit të ekipit kombëtar për Euro 2020, teksa do të ketë ndihmës Albert Stuivenberg.
Bordi i FAW do të mbajë një mbledhje së shpejti për të diskutuar këto vendime dhe ndryshime. FAW nuk do të bëjë ndonjë koment të mëtejshëm në këtë periudhë“, lexohet në komunikatën zyrtare të Federatës ishullore. /abcnews.al