Gërvalla: Njohja e Kosovës nga pesëshja evropiane do të ishte mesazh i qartë për Serbinë e Rusinë

schedule18:44 - 2 Shkurt, 2022

schedule 18:44 - 2 Shkurt, 2022

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka folur në një “podcast” për Odin Linardatou gjatë vizitës së saj të para disa ditëve në Athinë.

Në bisedë është trajtuar edhe çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, shkruan Gazeta Express. Gërvalla në këtë intervistë ka thënë se s’është në fokusin e saj të flasë për gjërat që e ndajnë Prishtinën dhe Athinën por për ato që e bashkojnë.

Kryediplomatja kosovare thotë se Kosova nuk do të insistojë për punën e njohjes nga Greqia, derisa shton se do të ketë insistim për thellim të bashkëpunimit në tregti, ekonomi, shkëmbime njerëzish.

“Ndoshta të fillojë me vitin 1992, kur kryeministri i Greqisë e ftoi presidentin, themeluesin e shtetit tonë, presidentin Rugova, për ta vizituar Greqinë, ajo ishte vizita e parë, që ishte zgjedhur nga populli por s’ishte pranuar nga Serbia.. Dhe kemi një traditë të mirë të bashkëpunimit. Dhe tani, kjo fazë është e mahnitshme, sepse pavarësisht faktit që Greqia s’e njeh formalisht pavarësinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës, ne kemi një bashkëpunim të madh. Kështu që duartrokasim potencialin e ri që Greqia shfaq në rajonin tonë. Jemi vërtet të interesuar të thellojmë këto raporte. Ne nuk jemi duke insistuar për njohje të pavarësisë, pro ajo për të cilën insistojmë më shumë është më shumë ekonomi, tregti, më shumë shkëmbime njerëzish, më shumë biseda politike, shkëmbime kulturore, sepse ajo është se si bashkëpunimi funksionon. Ne nuk jemi të fokusuar për të treguar atë çfarë na ndan, ne jemi shumë të interesuar të tregojmë atë që na bashkon”, ka thënë Gërvalla, transmeton Express.

Megjithatë Gërvalla ka theksuar për rëndësinë që Kosova të njihet nga pesë shtetet evropiane, dhe sipas saj një gjë e tillë do të ishte një mesazh i qartë për Serbinë dhe Rusinë, që kufijtë në Ballkan janë çështje e mbyllur.

“Unë besoj që nëse 5-shja evropiane e njeh Kosovën shpejtë, do te jete një sinjal shume i forte për të tjerët në rajon dhe për palët e treta që influencojnë rajonin shumë sikurse Rusia, që kufijtë n Ballkan janë punë e kryer dhe nuk do të flasim më për kufijtë, sepse sa herë flasim për kufijtë në Ballkan ne përballemi me luftë, dhe askush s’do luftë. As Greqia as Kosova, as Bosnja.

Është e rëndësishme të dërgohet mesazhi. Njohja nga pesëshja do të jetë një mesazh i qartë për Serbinë dhe Rusinë, që ky është realiteti, ne do ta njohim bashkë realitetin dhe na lejoni të ecim bashkë dhe të shohim çfarë mund të bëjmë bashkë”, ka thënë tutje kryediplomatja Donika Gërvalla.

Pavarësia e Kosovës vazhdon të mos njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian: Sllovakia, Spanja, Greqia, Qipro dhe Rumania. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!