Gert Bogdani për bashkine e Tiranës? Ish-deputeti: Do të ishte vlerësim, PD po aplikon listat e hapura

schedule17:17 - 29 Qershor, 2020

schedule 17:17 - 29 Qershor, 2020

Partia Demokratike ka nisur procesin e selektimit te kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në të gjithë vendin, pas miratimit të udhëzimit nga kryesia. Ish-deputeti Gert Bogdani në një intervistë për ABC NEWS vlerëson, se paralelisht me debatin e listave te hapura, Partia Demokratike po bën pikërisht këtë proces brenda forcës së saj politike.

“Në një kohë që diskutohet ndryshimi i sistemit dhe hapja e listave dhe në një kohë që qeveria e ka bërë shumë të qartë se nuk i do listat e hapura sepse nuk do që qytetarët shqiptarë të zgjedhin përfaqsuesit e tyre, Partia Demokratike ka zgjedhur këtë infrastrukturë të brendshme për të krijuar një hapje të listave. Në fund të ditës kur anëtarësia voton përmes parimit një anëtarë një votë është pak a shumë një hapje e listës”, sqaron Bogdani.

Duke qenë të bindur se Gjykata Kushtetuese do të pranojë padinë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, demokratët paralelisht me kandidatët për deputetë do të zgjedhin edhe kandidatët për kryetar bashkie.

Në të 61 bashkitë e vendit nuk ka pasur një proces zgjedhjeje, nuk ka pasur një process demokratik votimi. Kështu një Gjykatë Kushtetuese e drejtë dhe me një sens për të bërë drejtësi, normalisht që duhet të rikthente edhe njëherë votimin e 30 qershorit. Dhe në vitin e ardhshëm të kishim zgjedhjet parlamentare dhe të parakohshme lokale”, theksoi ish-deputueti.

Por a do t’i thoshte “JO” Gert Bogdani një kandidimi të mundshëm për Bashkinë e Tiranës nëse strukturat do të propozonin emrin e tij?

Kam përshtypjen që është e parakohshme si pyetje, por megjithatë edhe një vit më parë përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht vendimit që u mor më pas, kishte një propozim në të gjithë Shqipërinë nga strukturat e Partisë Demokratike se kë donin të shihnin në drejtim të fushatës apo në drejtim të garës. Në qytetin e Tiranës një nga emrat ishte edhe emri im, gjë për të cilën jam mirënjohës ndaj strukturave të Partisë Demokratike për besimin e shprehur. Sepse në fund të ditës kjo është një shprehje besimi, një shprehje vlerësimi. Nëse do të ishte një propozim i tillë, nëse strukturat e PD, lidershipi i PD do ta kërkonin një gjë të tillë, unë nuk do t’i bëja bisht garës. Asnjëherë nuk i kam bërë bisht ndonjë gare dhe asnjëherë nuk i kam hyrë një gare për të humbur. Gjithmonë bëhet maksimumi për të fituar”, deklaroi Bogdani për ABC NEWS.

Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie pritet të përmbyllet në muajin shtator, ndërkohë që në prill të vitit të ardhshëm pas ndryshimeve në Kodin elektoral, pritet që Presidenti i Republikës të dekretojë datën e re të zgjedhjeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!